Nga Ylli Pata
Kina ka hapur rrugën investimit të 3 miliardë eurove në Ballkan dhe në një pjesë të Europës Lindore, për ndërtimin e disa projekteve të mëdha infrastrukturore që janë pjesë e projektit strategjik të gjigandit ekonomik aziatik për ripërtëritjen e “Rrugës së Mëndafshit” .
Formatin e samitit të nivelit të lartë 16+1 të krerëve të shteteve që ka tre vjet që e ka nisur, Pekini e ka zhvilluar këto ditë në Hungari, ku dhe ka prioritete të rëndësishme për t’u përfshirë në disa projekte të mëdha.
Kryeministri kinez, Li Keqiang, gjatë samitit në Budapest shpalli zhbllokimin e rreth tre miliardë eurove për projekte. “Banka për Zhvillim e Kinës do të vendosë në dispozicion dy miliardë euro në kuadër të një shoqate ndërbankare të sapokrijuar”, tha ai.
Kryeministri kinez deklaroi gjithashtu edhe dhurimin e 1 miliardë eurove për një fond investimesh ku pjesa më e madhe do t’i shkojë për menaxhim Shoqatës Ndërbankare Kinë – Europa Qendrore e Lindore. Në dy samitet e para ka marrë pjesë vetë Kryeministri Edi Rama, por këtë herë meqë ka rastisur me Festën Kombëtare dhe takimin me qeverinë e Kosovës, në samit ka qenë zv.kryeministrja Senida Mesi.
Në samit u mblodhën krerët e qeverive të 16 vende të Europës Qendrore e Lindore (Shqipëri, Bosnjë Hercegovinë, Bullgari, Kroaci, Estoni, Hungari, Letoni, Lituani, Maqedoni, Mal i Zi, Poloni, Republikë Çeke, Rumani, Slloveni, Sllovaki, Serbi) të organizuar në kryeqytetin hungarez.
Kryeministri kinez ka lëshuar një mesazh për BE-në, kur tha futja e Kinës në Europë nuk prek influencat e Bashkimit Europian në Ballkan. “Bashkëpunimi ynë është i hapur dhe transparent. Ne do të bëjmë të mundur që gjithçka të jetë brenda kontekstit më të gjerë të marrëdhënieve Kinë – BE,”, tha Li.
Zv/Kryeministrja shqiptare, Senida Mesi ka deklaruar se Shqipëria e konsideron nismën e Kinës “si një instrument shumë i mirë bashkëpunimi ndërmjet shteteve në drejtim të rritjes dhe përforcimit edhe më tej të marrëdhënieve mes tyre në fusha të ndryshme. Shqipëria e shikon këtë nisëm si një platformë të rëndësishme komunikimi dhe ndërveprimi”.
Mesi theksoi gatishmërinë e Tiranës zyrtare për të vazhduar angazhimin me projekte konkrete kombëtare dhe ndër-rajonale në infrastrukturë rrugore e hekurudhore, energji, turizëm apo bujqësi.
Në samit u firmosën dy marrëveshje bashkëpunimi me Kinën: një në fushën e doganave dhe një në fushën e energjisë, të cilat do të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes vendeve.
Përveç takimeve të liderëve, samiti u shoqërua edhe me një forum biznesi dhe me takime mes koordinatorëve kombëtarë të çdo vendi. Në samit u firmos edhe “Udhërrëfyesi i Budapestit”, i cili do të përforcojë edhe më shumë bashkëpunimin mes vendeve pjesëmarrëse.
Kina ka ndezur motorrat për një influencë në rajon, por duket se Tiurana zyrtare tregohet e kujdeshshme që të mos prishë relacionet me Brukselin.
Marrëveshjet apo kontratat që mund të firmosen me Kinën, Shqipëria i sheh me kushtin që të jenë në unison me kuadrin ligjor të BE-së. Por gjithçka do të varet nga vendimi i Brukselit për hapjen e negociatave. Nëse do të ketë vendim negative, ka gjasa që Tirana të afrohet edhe më shumë me Pekinin.
Në fakt, Kina në Shqipëri ka një prezencë shumë të madhe, duke filluar me dy sektorë kyç siç janë energjia dhe transporti ajror.
Një kompani kineze ka blerë që prej dy vjetësh aksionet e Bankers dhe zotëron rreth 90% të nxjerrjes së naftës që prodhohet në Shqipëri. Ndërkaq, Aeroporti i Rinasit, gjithashtu u shit dy vjet më parë një korporate kineze.
Përveç këtyre sektorëve strategjik, Kina është edhe partner primar tregtar, pasi blen thuajse të gjithë kromin dhe ferro kromin shqiptar dhe mbulon një pjesë të madhe të importeve shqiptare.
Deri tani Kina ka hapur “portofolin” për Serbinë dhe Hungarinë, ku ka nisur financimi i linjës hekurudhore Budapest-Beograd. Kina pati një tërheqje për rrugën e Arbërit, ndërkohë hezitim për ngritjen e një parku industrial në Spitallë të Durrësit.
Pekinit nuk i intereson shumë tregu shqiptar që është i vogël, por lidhja që mund të sigurojë nga Shqipëria në Europë. Kina ka kërkuar portin e Shëngjinit dhe deri tani kjo është “nyja gordiane” e marrëdhënieve me Shqipërinë. /tesheshi.com/