Konflikti ndërmjet dy kishave paralele ortodokse në Mal të Zi arrin në një shkallë të lartë.
Fondet e ndara nga qeveria e Podgoricës, për dy pjesët konfliktuale ka shpërthyer një furtunë në qarqet ruse, të cilat me anë të Sputnik-ut kanë sulmuar fort qeverinë e Malit të Zi.
Me pavarësimin e Malit të Zi dhe vendimin për hyrjen në NATO, i vetmi element që rusët kanë investuar në këtë vend është e ashtuquajtura “Kisha Litorale” e drejtuar nga Amfilohije Radoviç.
Kisha Litorale nuk është gjë tjetër veçse dega zyrtare e Kishës Ortodokse serbe. Por me pavarësimin e Malit të Zi, një përpjekje nga disa klerikë të njohur brenda komunitetit ortodoks rikthyen autoqefaline e Kishës malazeze, siç ajo ka qenë përpara Jugosllavisë së Parë dhe të Dytë, pra nuk varej nga Beogradi.
Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Malit të Zi, Mihajlo është i njohur për mesazhet e qeta dhe pajtuese për të gjithë. Ai bëri bujë kur tha publikisht para dy vitesh në televizion se “Allahu është një dhe Muhamedi është i dërguari i tij”, që është dhe kredoja e njeriut kur bëhet musliman.
Selinë të dy kishat e kanë në Cetinje, kryeqytetin e vjetër të Malit të Zi. Por Podgorica zyrtare ka ndërhyrë në konflikt duke përkrahur fort Kishën Autoqefale, e cila në fillim, përpara 20 vitesh ishte më pak e frekuentuar, por tani ka besimtar më shumë.
Metropoliti Amfilohije është i njohur për qëndrimet e tij anti-shqiptare të egra. Është ai që dërgon shpesh në Vrakë të Shkodrës nga një prift herë pas here për të thënë frazën “Kosova është Serbi”, gjë që s’është as punë e ortodoksëve, as e Shkodrës, e as e vrakaçorëve, minoritetit të paqtë malazez në mes të Malësisë së Madhe dhe Shkodrës.
Në një shkrim të botuar në Sputnik-un e sotëm, portali rus thekson se qeveria ka dhënë fonde më shumë një kishe që nuk është njohur nga Patriakana ruse, ajo e Stambollit. Por të dyja janë nën influencën e fortë të Beogradit.
“Gjatë vitit të kaluar, Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Minoriteteve të Malit të Zi përcaktoi rreth 200,000 euro për kishat dhe bashkësitë fetare.
Nga buxheti i shtetit, Kisha Autoqefale e Malit të Zi mori 58,015.70 euro, pra 14,000 euro më shumë se Kisha Ortodokse Serbe, e cila mori 44,183.41 euro”, shkruan Sputnik, i cili shkon edhe më tej duke akuzuar Podgoricën se ka dhënë më shumë para për muslimanët sesa për kishën serbe.
“Vitin e kaluar, Bashkësia Islame u ndihmua me 55,888.31 euro. Kisha Katolike, mori gjithsej 24,377.92 euro, ndërsa bashkësia hebraike ka marrë 17,500 euro”, shkruan Sputnik.
Ministri i Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut në Mal të Zi është shqiptari Mehmed Zeka, përfaqësues i koalicionit që është në aleancë me partinë e Gjukanoviçit.
Ndarja e fondeve ka shkaktuar protestën e kishës serbe, e cila ka nxjerrë besimtarët në rrugë për të demonstruar kundërshtinë me këtë veprim, pasi ata e quajnë diskriminim cilësimin e këtyre besimtarëve si pakicë.
Koordinatore i protestuesve, Velibor Gjomiç tha për Tanjug-un se kërkojnë ndërhyrjen e Beogradit dhe të organizatave ortodokse në të gjithë rajonin.
Shtrirje më të madhe, Kisha Ortodokse serbe ka kryesisht në veri të bregdetit malazez në Herceg Novi por edhe në pjesën malore në kufi me Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. /tesheshi.com/