Intervistoi: Brunilda Basha
Adriana Zepishta është infermiere dhe punon në spitalin e Montefiores. Pas shkollës së mesme, të cilën e kreu tek Medreseja e Tiranës, (brez i maturës së parë) u shpërngul me familjen e saj në NeW York, Amerikë. Ka studiuar infermieri në Lehman College, Bronx. Aktualisht përvec punës në departamentin e zemrës dhe mushkërive, (Cardio Thoracic ICU) në spitalin e Montefiores, ndjek edhe studimet e mëtejshme për “Acute Care”. Njëkohësisht është nënë e dy djemve. Këto ditë të vështira, ajo sëbashku me ekipin me të cilin punon i përkushtohen totalisht shërbimit intensiv ndaj pacientëve me COVID-19. Për më tepër ndiqni bisedën me të fokusuar pikërisht tek situata më e fundit.
Adriana, të falenderoj që pranove të ndash me ne pak nga koha e çmuar që keni dhe njëkohësisht ju kërkojmë ndjesë, pasi e dimë se orari normal i punës tuaj gjatë këtyre ditëve e kalon 14-orëshin në ditë.
Çfarë mund të na thoni për menaxhimin e pacientëve që trajtohen në spitalin tuaj?
Spitali në të cilin unë po punoj është vënë pothuajse i gjithi në shërbim të pacientëve COVID 19. Tek departamenti i zemrës nuk kryhet asnjë operim përveç rasteve shumë urgjente. Nga i gjithë spitali vetëm dy departamente janë lënë të pastra; onkologjia dhe një pavion tek fëmijët. Rastet e lehta trajtohen në shtëpi me ilaçe, ndërsa më të rënduarat trajtohen në spital. Pas urgjencës ato ndahen nëpër kate të ndryshme sipas simptomave që shfaqin. Unë personalisht merrem me pacientët të cilët janë në gradën më të rëndë. Këta pacientë kanë nevojë për ventilator, respirator, makinë filtrimi të veshkave, etj.
A kanë spitalet në Amerikë kapacitetin e duhur për të trajtuar të gjithë të prekurit, qoftë mjete, hapësira spitalore, mjekë dhe personel? Me çfarë i trajtoni pacientët?
Kjo situatë ne si mjekë na kapi në befasi, nuk ishim të pregatitur apo të trajnuar si të vepronim. Momentalisht qeveria ka kërkuar dyfishim të numrit, pra ne shërbejmë dyfishin e kapacitetit të spitalit. U desh të improvizohej çdo gjë shumë shpejt ditët e fundit. Kjo sigurisht pati vështirësitë e veta. Stafi i gjithi po jep maksimumin e tij, mundohemi të jemi kreativ si në mjekime ashtu edhe në trajtime.
Deri tani nuk iu është mohuar aksesi në ventilator apo në shërbimet që mund të kenë nevojë asnjë pacienti. Megjithatë kam dëgjuar raste ku spitali mund të jetë deficit në mjekime/ilaçe. Metodat e përdorura i kemi përshtatur në bazë të simptomave, ndaj dhe trajtimet apo ilaçet që përdorim ndryshojnë nga pacienti në pacient.
Si është gjendja statistikore, si po e përballojnë pacientët këtë situatë dhe a keni patur sosh shqiptarë?
Numri është në ngritje sigurisht dhe kjo na shqetëson. Kemi pak persona që mund të flasin dhe lëvizin. Me këto pacientë punoj fort dhe nga ana emocionale. Mundohem t’u jap forcë e motivim për të mos u dorëzuar ndonëse në gjendje të dobët. Jam mjaft natyrë energjike dhe mundohem t’jua përçoj edhe atyre atë forcë dhe pozitivitet që të përpiqen sado pak për të lëvizur. U them se mund t’ia dalin, nuk duhet të dorëzohen kaq shpejt, edhe pak dhe do takoni njerëzit tuaj të dashur. Lutuni tek Zoti, kini besim tek Ai. Deri më tani nuk kam rastisur të kemi shqiptar në spitalin tonë, ose unë nuk jam në dijeni.
Po stafi mjekësor, mjekët, infermjerët, punonjësit e tjerë, si po e përballojnë këtë situatë? Ti vetë si ndihesh?
Pjesa emocionale padyshim që është e brishtë. Ne po shohim çdo ditë njëri-tjetrin duke u sëmurë dhe infektuar. Në katin ku unë punoj kemi disa infermjerë të prekur. Është e vështirë sepse jemi larg familjes, prindërve, nuk mund të përqafojmë fëmijët në darkë nga frika se mos jemi mbartës dhe ua kalojmë atyre. Është shumë e trishtë të mos mundesh të përqafosh djalin e vogël. Akoma më e vështirë t’i shpjegosh arsyen, ndërkohë që ai me sytë me lot të thotë: “Mami, më ka marrë malli, ndaj dua të flej me ty.”
Por nga ana tjetër, kemi një forcë të vazhdueshme dhe nuk trembemi që t’i shërbejmë çdo pacienti me përpikmëri.
Adriana, sa të ka ndihmuar besimi në Zot për të përballuar gjithë këtë ngarkesë fizike dhe shpirtërore?
Ndihem me fat që besimi është pjesë e imja. Megjithatë do isha jo e sinqertë nëse do thoja se s’kam patur momente dobësie apo frike. Ndonëse jemi të bindur në caktimin e Zotit dhe e dimë mjaft mirë se asgjë nuk ndodh pa lejen e Tij, kur gjendesh përballë trupave të pajetë çdo ditë, me dhjetra e mosha nga më të ndryshme, qetësia të prishet.
Por nga ana tjetër ky është një përkujtim i vazhdueshëm të cilin po e dëshmoj me sytë e mi se jeta jonë mund të mbarojë në çdo sekondë.
Në një moment mund të kthehemi thjesht në një trup i cili pasi paketohet vendoset në një kamion të ftohtë(frigoriferi) dhe përcillet vetëm. Mundohem sa herë kur rastis të mbledh trupat, të bëj ndonjë lutje për ta, sepse pasi ndërrojnë jetë nuk mund t’i shohë askush nga të afërmit.
Cili është mesazhi yt për shqiptarët dhe për çdo kënd që po të lexon?
Unë do të thoja se të gjithë ne kemi nxjerrë mësime të mëdha nga kjo sprovë. Shumë prej nesh mund të jenë të traumatizuar e frikësuar, të tjerë më të fortë. Dikënd kjo stuhi e ka rrëzuar, dikush tjetër ka menaxhuar të qëndrojë në këmbë. Por një gjë është e sigurtë: të gjithëve ne, kjo stuhi na ka lëkundur.
Ndaj, shpresoj që kjo lëkundje të ketë qenë pozitive, të na ndihmojë që të jemi më të mirëkuptueshëm me njëri-tjetrin, më të afërt, më të ndjeshëm. Efektet e saj mund të ndjehen akoma më shumë pasi e gjitha kjo të ketë mbaruar, sidomos tek ata që po punojnë në spitale.
Unë do ju lutesha ta vlerësonim jetën më shumë, t’i çmojmë çastet e vogla sepse ne nuk e dimë kur mund të largohemi nga kjo jetë. Dhe më e rëndësishmja, në cdo moment, në lehtësi apo vështirësi të kemi Zotin me vete. /tesheshi.com/