Nga Mentor Tahiri
Dhjetor 1990
Lajmin për krijimin e Partisë Demokratike e mësova duke dëgjuar lajmet e Radio Zagrebit në mbrëmje. Ishte një natë e ftohtë dhjetori në Prishtinë. Kosova ishte në gjendje të jashtëzakonshme, diçka ekuivalente me atë që në anglisht i thuhet “Martial Law”. Radio Zagrebin, një dritare të vetmen informative të asaj kohe lidhur me Kosovën e dëgjonin të gjithë në njëfarë gjysmë-ilegaliteti. Si një shqiptar i Kosovës, pjesë e një shoqërie që po përjetonte dhunë shtetërore, nuk kisha kurrë as më të voglën simpati për çfarëdo lloj diktature, as për Enver Hoxhën, as për trashëgiminë e tij ideologjike, as edhe për një gjë të vetme që krijoi ai koreano-veriorizëm shpirtëror që nuk ka asgjë të përbashkët me shqiptarët.
Lajmet në gjuhën shqipe ishin thjeshtë pak minuta. Pas tyre sërish dëgjova lajmet në gjuhën kroate, me aq sa më kujtohet mund t’i citoj përafërsisht: “Në Shqipëri u krijua Partia e parë demokratike jo komuniste. Udhëheqësit e saj janë Sali Berisha dhe Gramoz Pashko”. Shpejtova ta zgjoj gjyshin nga gjumi, i tregova. U gëzua shumë. Si mund të ndjehej ndryshe një njeri që mbante mend të bëmat e partizanëve të kombinuar të Titos e Enverit. Vuajti gjithë jetën deri në fund pasojat e tyre. I lindur në fshatin ku ballistët bënë rezistencën e fundit në Kosovë, ai nuk kishte shfaqur kurrë asnjë kompromis ndaj komunizmit.
Prill 1991
Zgjedhjet e para në Shqipëri u mbajtën me 31 Mars 1991. Të nesërmen mezi nuk prita të vij nga shkolla e të kremtoja fitoren e Partisë Demokratike. Kapa në radio sinjalin e “Radio Tirana për bashkatdhetarë”, ishte muzikë festive. Mu dashtë kohë të kuptojë kush po festonte, ishte regjimi. Partia e Punës kishte marrë 2/3 të votave të bashkombësve të mi brenda kufijve të Shtetit Shqiptar. Zhgënjim sa nuk ma mbante zemra. Me 2 Prill, nuk shkova fare në shkollë. Ishte një ditë e martë, e unë veçse një nxënës ende fillorist plot mall për pjesën e atdheut tim që kurrë nuk e kisha pa. Ishte vetëm fitorja e Franko Kroqit ajo që më jepte shpresë se shqiptarët dinin t’i thonë JO komunizmit. Minatori i vyer garoi në qendër të Tiranës, aty në zonën e Bllokut kur regjimi ndjehej më i sigurti. Franko Kroqi kishte mposhtur Ramiz Alinë.
Prill 2018
Partia Demokratike ka një kryetar të parritur për përmasat e saj. Ka retorikë, nuk ka substancë. Mungojnë guximi kryengritës i Azem Hajdarit dhe guximi elektoral i Franko Kroqit. E papërsëritshme! Rrugë e gjatë e rikonsolidimit përpara. Shqipërinë e ka përpirë e majta, bijtë ideologjikë të sistemit njëpartiak. Dallimet janë në kamuflime, diku s’pati kujdes as për kamuflime. Ai që dikur ishte Ministër i Brendshëm në kohën e masakrës së Shkodrës, sot është kryeparlamentar. Plot shembuj të ngjashëm gjithandej që arrijnë deri te Ministri i sotëm i Brendshëm, ky tani që shpiku “armiqtë” e shqiptarisë në Kukës.
P.S. Po, jam shtetas i Republikës së Kosovës. Me gjithë problemet që ka republika ime e re, gjithsesi si shqiptar nuk mund të qëndroj indiferent ndaj ngjarjeve në Shqipëri. Ka plot gjëra që më lidhin me botën shqiptare andej kufiri. /tesheshi.com/