Nga Blendi Gashi
Të gjitha veturat që vijnë nga komunat tjera për të hyrë në Prishtinë, nga nesër duke filluar nga ora 06:00 e mëngjesit do të ndalohen në periferi të kryeqytetit si dhe do të ndalohet shitja e thëngjillit, masa këto parandaluese për ndotjen e ajrit që disa ditë ka marrë përmasa shqetësuese.
Ky është plani emergjent që kanë marrë Komuna e Prishtinës, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe atë të Brendshme, pasi hyrja e mbi 120 mijë veturave në kryeqytet shihet si shkaktari kryesor pse ajri është ndotur tej masave të lejuara.
Ishte qeveria “Mustafa” e cila në vitin 2015 heqi ndalesën e importit të veturave të vjetra, duke bërë kështu që tregut të Kosovës t’i shtohen shumë automjete të cilat direkt e ndotin ajrin.
Kjo situatë vazhdoi deri në vitin 2017, kur asokohe po qeveria “Mustafa”, më pas vendosi ta kufizojë importimin e veturave jo më të vjetra se 10 vjet.
Diskutimet për ligjin për kufizimin e importit të automjeteve vazhduan deri në prill të vitit të kaluar kur Komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Tregti dhe Industri vendosi që ky ligj të kufizojë importimin e automjeteve jo më të vjetra se 10 vjet.
Por qeveria dhe Komisioni Parlamentar, lanë hapësirë shumë të madhe për importin e veturave të vjetra, kjo për faktin se Ligji për kufizimin e importit të veturave, të cilin më vonë e kishte nënshkruan presidenti, llogaritej të hynte në fuqi nga 1 jarani 2018 dhe deri në këtë periudhë që të rritet fluksi i importit.
Ja sa vetura u futën nga 2012-2016
Numri i veturave në Kosovë brenda viteve 2012-2016, pra katër viteve është rritur në 83.893.
Më 2012 ishin të regjistruara 176.398 vetura, më 2013 ishin 22.537 vetura, më 2014 ishin 236.145 vetura, 2015 ishin 281.847 vetura, kurse 2016-ta shënoi rënie pasi u regjistruan vetëm 260.291 vetura.
Konsumi i thëngjillit 2012-2016
Edhe të dhënat për konsumin e thëngjillit tregojnë se në vitin e fundit kjo lëndë djegëse është përdorur jashtëzakonisht shumë nga kosovarët, çka dhe mund të jetë ndër shkaktarët pse ka ndotur jashtëzakonisht ajrin.
Nga viti 2012 deri më 2015 shifrat tregojnë herë rritje e herë rënie të konsumit të thëngjillit.
Më 2012 kosovarët shpenzuan 685.800 tonë thëngjill. Një vit më vonë, pra më 2013 u shënua rënie pasi u shpenzua 559.500 tonë thëngjill.
Më 2014 u rrit sërish konsumi duke shkuar në 603.400 tonë thëngjill, por 2015 shënoi rënien më të madhe të përdorimit të thëngjillit pasi u shpenzuan veç 449.800 tonë thëngjill.
Por vetëm një vit më vonë, pram ë 2016-të konsumi i thëngjillit arriti nivelet më të larta duke shkuar në 998.600 tonë. /tesheshi.com/