Futbollistët e Manchester United, Cristiano Ronaldo dhe Harry Maguire janë dy lojtarët që kanë marrë më shumë “abuzime” në Twitter sezonin e kaluar, sipas një raporti të ri të publikuar të martën.
Pothuajse tre të katërtat e futbollistëve të Premier League morën mesazhe abuzive vitin e kaluar, me disa që merrnin “abuzime” të përditshme.
Raporti, i kryer nga “The Alan Turing Institute” dhe “Ofcom”, duke përdorur një teknologji të re, analizoi 2.3 milionë mesazhe drejtuar lojtarëve të Premier League gjatë pesë muajve të parë të sezonit 2021/22.
Ai gjeti 60,000 postime të konsideruara abuzive, me 68% të lojtarëve të Premier League që morën të paktën një mesazh në atë periudhë.
Një në 14 lojtarë merrte cicërime abuzive çdo ditë, sipas raportit, me gjysmën e të gjitha mesazheve fyese drejtuar 12 lojtarëve, të cilët merrnin mesatarisht 15 në ditë.
Ronaldo mori 12,520 cicërima abuzive, ndërsa Maguire kishte 8,954 dhe Marcus Rashford – gjithashtu dikur i Manchester United – kishte totalin e tretë më të lartë me 2,557. Gjithsej tetë lojtarë të Manchester United u shfaqën në top 10.
Sulmuesi i Tottenham Hotspur, Harry Kane, kapiteni i Anglisë dhe Jack Grealish i Manchester City-t ishin të vetmit lojtarë jo-Manchester United në top 10.
Si klub, lojtarët e Tottenham Hotspur kishin përqindjen më të lartë të totalit të postimeve abuzive në Twitter me 3.7%.
“Këto gjetje të zymta zbulojnë shkallën në të cilën futbollistët i nënshtrohen abuzimit të dhunshëm në mediat sociale,” tha Dr Bertie Widgen, autori kryesor i raportit dhe Shefi i Sigurisë Kibernetike në Institutin Alan Turing.
“Edhe pse përballja me abuzimin në internet është e vështirë, ne nuk mund ta lëmë të kalojë pa sfidë. Duhet bërë më shumë për të ndaluar këto forma të përmbajtjes, për të siguruar që lojtarët të mund të bëjnë punën e tyre pa iu nënshtruar këtij ‘abuzimi’”. /tesheshi.com/