Nga Alba Skëndaj
Dikush pretendon se kësaj here, në zgjedhjet e fundit lokale, në “tregun e gjësë së gjallë” të votës që shitet e blihet katundçe, pati një krizë: ishte ajo e votës që nuk u ble e as nuk u shit prej komuniteteve rome dhe egjiptiane. Këtë e thotë me bindje Rivelino Çuno, kreu i Partisë për Europianizim dhe Integrim, që dhe pse më pak se një vit parti, arriti të marrë katër këshilltarë bashkiakë në të gjithë Shqipërinë, një arritje e madhe kjo për komunitetin rom dhe egjiptian, që pothuajse kanë qenë gjithnjë të papërfaqsuar.
Eshtë e vërtetë se vota e tyre është blerë dhe shitur për dy kacidhe si i thonë, ose për një thes miell, por Çuno pretendon se me zgjedhjet lokale kjo gjë mori fund. Ata i janë kthyer dinjitetit të tyre njerëzor duke votuar të lirë nga kushtëzime elektorale me kafshatë, ndonëse të orientuar politiksht prej partisë që i kanë përfaqsuar. PEI ka qenë në koalicion me ASHE-në.
Kryetari Rivelino Çuno, thotë se ky përfaqësim politik, ky shndërrim i madh në këto dy komunitete, erdhi si shkas i një organizimi të ri, vizioni të ri, strategjie të re dhe mjaft efikase për të bërë të mundur që më së fundi edhe kjo shtresë e margjinalizuar të ketë një rol të dukshëm në zhvillimet politike, e rrjedhimisht më pas mund të përfaqësohet më zëra në politikë. E të mendosh se këtë rezultat nuk e kanë ende parti me vite në “tregun politik”, si fjala vjen ajo e Spartak Ngjelës.
“Dhe të mendosh tjetrën, se kjo është arritur në pak muaj, pa ndonjë mbështetje financiare, pa ndonjë mbështetje logjistike apo mediatike, por thjesht duke marrë kontakt dhe biseduar me njerëzit, duke u futur në ndërgjegjen dhe shpirtërat e tyre”, thotë Çuno.
Sipas tij, “motori” i gjithë kësaj pune të suksesshme kanë qenë 1200 studentë të këtyre komuniteteve, tejet të përgatitur dhe energjikë, të cilët kanë vetëdijësuar, organizuar dhe orientuar shtresat prej nga vijnë. Dhe komunitetet rome dhe egjiptiane, kanë një veçanti sepse shtrihen në të gjithë territorin shqiptar.
Çuno vetë është 28 vjeç dhe është diplomuar në Universitetin e Sporteve. Ai thotë se ka vendosur të themelojë një parti për të përfaqësuar politikisht komunitetet në fjalë, kur ka parë se për 20 vjet asgjë nuk ka funksionuar siç duhet, duke mbetur në nivel shoqatash, pa ndonjë peshë apo rol në politikë, atje ku gatuhen interesat (në kuptimin e drejtë të fjalës) dhe ku vendoset realisht për fatin njerëzve.
“Dhe ja, rezultatet e para erdhën: shitblerja e votës në komunitetet rome dhe egjiptiane u ndalua, ndërkohë që pritet tashmë përfshirja dhe në poste drejtuese e individëve të spikatur nga këto dy komunitete.
Por a ka vallë të tillë?
Çuno thotë se po, ka shumë. Sipas tij mjaft të ripërmenden ata 1200 studentë, ndërkohë që margjinalizimi ka bërë që dhe të tjerë të aftë të mos munden të kenë pretendime, e të humbin në terrenin e mbrapshtë social, ky pothuajse frymojmë të gjithë.
Por tashmë – pretendon Çuno – ka ardhur kohë tjetër. Hapi kryesor është bërë dhe rezultati është i prekshëm. Dhe, duke iu referuar emrit të partisë që nuk ka asnjë element që tregon shtresëzimin së cilës i përket, por që shpalos një vizion mbarëshoqëror, ai thotë se Europa për shqiptarët mund të afrohet dhe me ndihmën e tyre.
“’Partia për Europianizim dhe Integrim’: do të thotë se nëpërmjet përmirësimit të gjendjes së komuniteteve rome dhe egjiptiane, nuk synohet veçse Europa si destinacion final, jo vetëm për ne, por për të gjithë shqiptarët, meqë dhe ne shqiptarë jemi”, saktëson Çuno. /tesheshi.com/