Kush është mbi 40 vjeç i mban mend aksionet “vullnetare” për pastrimin e territorit ditën e dielë në kohën e komunizmit, veç atyre në ndihmë të kooperativistëve për zhveshjen e misrit a gjëra të ngjashmë; që më pas morrën dhe trajtën e një dite të plotë pune.
Megjithatë, ata që dilnin për të pastruar e bënin këtë pranë shtëpive dhe pallateve të tyre.
Ndërsa Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës ka shpallur 13 nëntorin, pra të dielën, si një “aksion vullnetar” për pastrimin e kryeqytetit, jo vetëm Tiranës si qytet por edhe fshatrave që përfshihen në territorin e bashkisë së madhe. Kjo, në kuadër të një bindjeje herë të artikuluar dhe herë jo, se vetëm me ca forma të ish-regjimit rregullohen ca pune në këtë vend.
Kështu, me urdhërin e bashkisë, të gjithë mësuesit janë detyruar që të dalin nesër në punë për të pastruar territorin së bashku me administratën.
Nënat që kanë menduar të nisin aksionin e madh për të pastruar shtëpinë në çdo rrënxë, për të larë e hekurosur, do t’ia kushtojnë këtë ditë shtetit. Po fëmijët kush do t’i mbajë, pasi çerdhet e kopshtet janë të mbyllura?
Ah, për këtë s’ka menduar kush, sepse e rëndësishme është të dalim të dielën në transmetim live në televizor ku të shihen sa më shumë “vullnetarë” me fshesa, sfurqe, lopata e lecka për ta bërë Tiranën tonë të pastër, ani se shtëpitë nuk e kanë këtë fat.
Aksionet e dikurshme në kohën e diktaturës, kanë pasur një gjë ndryshe. Edhe pse nuk ishin vullnetare – pasi birbot e frontit të bënin gjëmën – gjithsesi pastrohej kryesisht territori pranë banesave dhe më pas të gjithë futeshin në shtëpi, laheshin e hekuroseshin si një rit që bëhej përgjithësisht një herë në javë.
Ndërkaq, në të gjithë botën ka nisma të tilla, por bëhen me një organizim mjaft të saktë, ku organizata jo qeveritare dhe kompani që marrin kontrata shtetërore, një ditë ia kushtojnë komunitetit, pasi ata ushqehen nga fondet e shtetit.
Tek ne ka me mijëra organizata të tilla që nënkontraktohen me qeverinë e pushtetin vendor për të pastruar territoret, dalin në televizor sa për të marrë fondet marramendëse e më pas i sheh në fundjavë nëpër rrjetet sociale në udhëtime turistike në Mal të Zi, Greqi e Maqedoni, duke qeshur e pispillosur, si për sfidë ndaj njerëzve që e ngrysin muajin vetëm me një rrogë(edhe atë nëse e marrin).
Vullnetarizmi nuk është detyrim, por motivim që rrjedh nga një marrëdhënie besimi dhe ndërgjegjeje. Këtu mund të futen edhe komunitetet fetare që t’u bëjnë thirrje besimtarëve që sekush të pastrojë hapësirën pranë shtëpisë, lagjes së tyre, dhe jo duke i marrë njerëzit nga fundi e për t’i degdisur në qendër të Tiranës dhe anasjelltas. /tesheshi.com/