(Një kujtim i paharruar me mjeshtrin e fushave të futbollit, Raif Gërgurin, nga Studima e Epërme e Vushtrrisë, që ndërroi jetë sot..)
–Personazhi i këtij rrëfimi, Raif Gërguri nga Vushtrria, mbase është shembulli i vetëm i një punëtori sportiv që u pensionua në sport dhe e gëzon pensionin po nga sporti…
Nuk ka njeri në botë që e do fushën e futbollit më shumë se Raif Gërguri i Studimës së Epërme të Vushtrrisë. Si të mos jetë kështu, kur atë e ka pasur bukë dhe jetë… Plot 28 vjet i shoqëruar me të. Dhe, kur sot kthen kujtimet e para 28 vjetëve, flet përmallshëm…
“Kjo fushë më solli edhe pensionin. Nuk është i mjaftueshëm, por si të gjithë shqiptarët edhe unë e çmoj, sepse është djersa ime, është mundi im. Unë, sot, vuaj nga sheqeri, vuaj edhe nga zemra. 30 euro më shkojnë për ilaçe, 10 euro harxhoj për një muaj!…”, ky është fati i xha Raifit, sikur edhe i të gjithë pensionistëve të Kosovës që kanë shekull të gjatë pune…
Raif Gërguri lindi më 8 nëntor 1935. Para se të vinte në Vushtrri kishte punuar shtatë vjet në Nish. Jeta e kishte detyruar të shtegtonte edhe në Split ku poashtu punoi katër vjet.
“Atje kam punuar në ndërmarrjet për ndërtimin e rrugëve… Më duhej të siguroja kafshatën për familjen time”.
Si u bë që Raifi të ktehet në Vushtrri, në këtë stadium që sot ka një pamje vërtetë të bukur, të paktën fusha, që prore është e gjelbër, si tepih persian!
“Mua më sollën këtu Jahja Abazi, që sot jeton në Finlandë dhe Hilmi Gërguri, vëllai im që është drejtor i shkollës “Ali Kelmendi” në Vushtrri. Më thanë të provoja për 17 ditë, si po më duket puna e re. Pra, duhej të kujdesesha për fushën e futbollit të Kosovës së Vushtrrisë. M’u ka dukur si ëndërr”, kujton fillimin xha Raifi i ulur në karrigen e tij, që s’i ndahet edhe sot, edhe pse është në pension dhe jeton aty pranë saj, në zhveshtoret e dikurshme që i ka shndërruar në banesë. Edhe gjatë stërvitjeve të lojtarëve, edhe gjatë ndeshjeve, err e terr rri herë ulur, herë bën shetitje dhe “kontrollon” fushën, sepse e do të gjelbër, të bukur…
“Nuk është lehtë të jesh mirëmbajtës i fushës. Duhet të dish të kujdesesh për te. Unë kam qenë në seminare të shumta pikërisht për këtë detyrë shumë të rëndësishme, por edhe të vështirë, gjithësesi”.
E ngacmoj paksa, sa për t’ia zgjuar zekthin dhe të shpalos tërë filozofinë e tij të një punëtori shpatullgjerë, të gjatë e të zhvilluar, si një atlet i mirëfilltë, por me shumë vite të stuhishme prapa…
“E ka edhe kjo filozofinë e vet. Duhet të dish kur e do plehun, sasinë e tij, pastaj kur edhe si duhet kositur barin… Kur të gjitha këto i bën pjesë të jetës, të duket një gjë shumë e bukur”.
Fushën tash e mirëmbajnë vetë Besnik Kollari me futbollistët e tij që dhanë një ndeshje të bukur kundër KEK-ut, poashtu cilësor në fushën e xha Raifit, e cila ishte kositur me shije edhe sot, kur ai nuk ka forcë fizike për ta mirëmbajtur, por i mjafton “t’ua bëjë me gisht” dhe të gjithë e kuptojnë se çka duhet bërë…
Xha Raifi sot është vetëm në shtëpinë e tij pranë stadiumit. Bashkëshortja, e montra e portierit legjendar, tashmë të ndjerë, Jashar Peci, ka ndërruar jetë. Dy djemtë e tij jetojnë dhe punojnë jashtë. Sabriu është në Francë, ndërsa Samiu kishte ardhur për pak ditë në Vushtrri.
“Halil Llapashtica më ka ndihmuar shumë.. Të gjithë dua t’i falënderoj, sepse ata ma mbajtën gjallë shpresën për jetë. Më bënë ta dua fushën si foshnjen në djep. Edhe sot nuk mundem pa te”, i lidhet në fyt fjala dhe përpiqet ta përpijë sa më shpejtë tërë duqin që i rrinte lidhur nye në fyt…
Kur serbët i ndoqën futbollistët shqiptarë nga stadiumi xha Raifi ka përjetuar ditët më të rënda të jetës së tij.
“Kur na ndoqën, unë kisha dhimbje të mëdha.. Thash me vete:”E mori fushë, kush erdh’ e po t’shkelë””.
Kështu ndodhi deri në verën e vitit 1999. Në të vërtetë fusha tashmë i përngjante një kallamishteje…
“Bari ka qenë sa jam unë i gjatë. Shpejt u mobilizuam dhe ua përgatitëm futbollistëve për lojë. Gëzim më të madh në jetën time kurrë nuk kam pasur”, përfundon rrëfimin e tij Raif Gërguri, pensionist i sportit…
(Marrë nga revista “Arena sportive” e 12 shtatorit 2006 – Shkruan: Xhavit Kajtazi, transmeton Zëri). /tesheshi.com/