Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë të jetë “i nderuar” që e ka besimin e presidentit Hashim Thaçi. Kur të mërkurën i ka shkuar në Zyrë kreut të shtetit, ka thënë edhe ta ketë “nderin” për t’ia prezantuar atij raportin për punën që qeveria të cilën e drejton e ka bërë në 100 ditët e para të mandatit.
Gati dy vjet më parë kur Thaçi u ngjit në majë të pushtetit, Haradinaj, që atëkohë ishte në opozitë, nuk kishte thënë të ishte “i nderuar” që Kuvendi e bëri atë president. Pasi partia e tij dështoi ta pengonte procesin e votimit për shefin e shtetit, bashkë me kryetarët e dy partive të tjera në opozitë, Visar Ymerin e LVV-së dhe Fatmir Limajn e Nismës, kishte dalë në konferencë shtypi. Aty kishte “vjellë vrer” për figurën e Thaçit, shkruan “Koha Ditore”.
“Sot ka më shumë njerëz të mërzitur sesa të gëzuar. Hashim Thaçi përfaqëson vetëm kapjen e shtetit. Jemi të vendosur të vazhdojmë deri në zmbrapsjen e këtyre që e kanë kapur shtetin e Kosovës” deklaroi , atë kohë Haradinaj. /tesheshi.com/