Edhe pse duhet të dorëzojë çelësat e qeverisjes pas vendimit të Kushtetueses, kryeministri ende në detyrë Albin Kurti trazoi sërish, vendas e ndërkombëtarë, pas një mase te rë reprociteti karshi Serbisë.
“së fundmi Serbia ka ndërruar qasje duke kushtëzuar përdorimin e emrit ‘Republika e Serbisë’. Ne i kundërvihemi me masë reciproke. Obligohet Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë të përdorë stemën dhe emrin ‘Republika e Kosovës’ në të gjitha certifikatat fitosanitare dhe veterinare. Pra, asnjë maune nuk mund të hyjë në Kosovë nëse në certifikatat e tyre nuk figuron: Republika e Kosovës”, është ajo çfarë ka vendosur qeveria në ikje “Kurti”.
Kanë pasuar reagimet e menjëhershme, përfshirë dhe të dërguarin Lajçak.
“I zhgënjyer në lidhje me masat e reja të reciprocitetit të paraqitura nga qeveria në detyrë e Kosovës. Këso veprime të njëanshme dëmtojnë rifillimin e dialogut dhe duhet të hiqen menjëherë. Siç është thënë në vazhdimësi, ne presim që të dyja palët në dialog të zbatojnë dhe të respektojnë marrëveshjet e kaluara”, ka shkruar Lajçak në Tëitter.
Reagoi presidenti Thaçi, duke pretenduar se kështu po cenohet partneriteti me SHBA-në dhe BE-në.
“Me vendimin për kinse reciprocitet, ai vazhdoi duke bërë hapa në kundërshtim me kërkesat dhe pritjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të BE-së, duke rrezikuar tërë atë që kemi arritur dhe ndërtuar për më shumë se dy dekada. Kosova ka fituar lirinë dhe shtetësinë me përkrahjen e SHBA-së dhe partnerëve evropianë dhe vetëm me këtë përkrahje e partneritet ka të ardhme të sigurt. Çdo cenim i këtyre raporteve është rrezikim i shtetit dhe rrezikim i së ardhmes së Kosovës”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Reagoi dhe Abdullah Hoti, ai që bëhet gati t’i zërë vendin Kurtit në krye të qeverisjes.
“Qeveria e re do të koordinohet me partnerët strategjikë të Kosovës duke hequr çdo pengesë për dialog. Vetëm përmes këtij koordinimi ne e avancojmë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe ia heqim Serbisë alibinë për ta zvarritur marrëveshjen për njohjen reciproke”, shkroi Hoti në Facebook. /tesheshi.com/