Nga Blerim Kore
Me nisjen e sezonit turistik të pranveres. Muzeu i Luftë së Ftohtë në Gjirokastër po tërheq vëmendjen e vizitorëve vendas dhe të huaj. Muzeu funksionon në një ish vendstrehim luftarak të ndërtuar prej betoni gjatë periudhës së komunizmit. Duke qenë se ndodhet në pjesën historike të qytetit, Muzeu i Luftës së Ftohtë ka pasuruar dhe e ka bërë më tërheqës udhëtimin e vizitorëve në Gjirokastër.
Muzeu – simbol i Luftës së Ftohtë
Grupet turistike të huaja që mbërrijnë në Gjirokastër, porsa marin informacionin e nevojshëm për Muzeun e Luftës së Ftohtë që ndodhet afër godinës së Bashkisë, preferojnë të nxitojnë për ta parë nga afër. Muzeu funksionon në vendstrehimin luftarak prej betoni që u ndërtua në fillim të viteve 1970. Tuneli, i cili përshkon pjesën e poshtme të shkëmbinjve mbi të cilët ngrihet Kalaja e qytetit është i gjatë rreth 800 metra.
Në mjediset e brendshme të tij janë ndërtuar një sërë aksesorësh të cilët do të shërbenin për akomodimin e ish udhëheqjes komuniste lolale të atyre viteve në rast të një sulmi eventual nga jashtë. Vendstrehimi për bëhet prej 80 dhomash, salla mbledhjesh, ambjente pune, pushime madje pjesë e tij janë edhe një depo për furnizimin me ujë të pijshëm, centrali elektrik etj.
Vizitorë në muze
Duket se vizitorët e huaj vazhdon ti tërheqë kurioziteti dhe kërshëria për të parë nga afër këtë “qytezë” nëntokësore e gjitha me beton e ndërtuar për të përballuar kontradiktat e Luftës së Ftohtë. Tashmë të gjitha këto mjedise të derdhura në beton po tërheqin grupet turistike që vizitojnë qytetin e gurtë. Vendodhja e tij, pranë sheshit “Çerçiz Topulli”, ku dhe parkohen autobuzët e grupeve turistike bën që ai të jetë një pikë interesante për tu parë nga afër nga grupet e vizitorëve. “
Me thënë të drejtën vizitën në këtë vend na i sugjeroi shoqëruesi ynë turistik”, thotë Sara Pulman, një vizitore nga Gjermani. Ndërsa ngjit shkallët e gurta që të çojnë në Muzeun e Luftës së Ftohte ajo flet me kuriozitet dhe kërshëri për objekte të tilla. “Gjatë vizitave të mia në disa prej vendeve të Europës Lindore kam parë nga afër objekte të tilla”, thotë turistja gjermane ndërkohë që qëndron në njerin prej sheshpushimeve të shkallareve të gurta për të marë disi frymë. “Mendoj se njohja nga afër e këtyre objekteve është diçka interesante jovetëm për të shuar disi kuriozitetin por për të parë nga afër edhe efektet që shkaktoi Lufta e Ftohtë”.
Ndërkohë, pasi ka arritur në krye të shkallareve të gurta që të çojnë në vendstrehimin e dikurshëm luftarak vizitorja e huaj fillon të shkrepë blicin e aparatit fotografik për të fiksuar në celuloid konturet e betonta në hyrje të tunelit. Falë sistemit të ndriçimit bashkohor që funskionon në muze ajo përshkon me këmbë disa metra prej korridorit të betontë i cili të çon në “zemër” të ish vendstrehimit luftarak. “Me të vërtetë interesante diçka tërheqëse” thotë ajo, ndërkohë që nuk rresht së shkrepuri aparatin fotografik.
Mes të tjerash ajo përmend edhe rastin e një vendstrehimi të tillë luftarak në ish Gjermaninë Lindore, për të cilin pas zbulimit u vendos që të mbahej hapur për vizitorët për tri muaj rresht dhe më pas të mbulohet përgjithmonë me beton. “Mund t’iu them me bindje se ai është kthyer në një vend vertet tërheqës i cili krahas personave të interesuar për historinë e Luftës së Ftohtë, tërheq edhe vëmendjen dhe kërshërinë e vizitorëve të tjerë”, thotë turistja gjermane ndërkohë që thekson me bindje se raste të tilla duhet të vihen në funksion të zhvillimit të turizmit.
Së bashku me të. në shkallaret e gurta që të çojnë në muzeun e Luftës së Ftohtë, janë ngjitur edhe pjestarë të tjerë të këtij grupi turistësh. Duke se historiku i këtij ish-vendstrehimi luftarak i gërshetuar me gjithë historinë e Luftës së Ftohtë krahas informacionit historik shërben edhe si një element atraktiv turistik.
Ndërkohë që përshkojnë hyrjen e tunelit të betontë vizitorët e huaj kundrojnë me kërshëri çdo element të vendstrehimit i cili gjatë Luftës së Ftohtë do të shërbente si ambjent pune për ish-udhëheqjen komuniste lokale në Gjirokastër. Dhe gjatë bisedave me njëri-tjetrin ata nuk harrojnë të sjellin edhe shembuj të tjerë kur objekte të tilla kanë tërhequr interesimin e vizitorëve duke shërbyer si qendra të rendësishme për nxitjen e turizmit në zonat ku ishin ndërtuar. /tesheshi.com/