PD pretendon se ka gjetur Elvis Rroshin e Kavajës te figura e Valdrin Pjetrit që pritet të marrë Shkodrën, ku pra për herë të parë, pas rënies së bastionit demokrat të Shqipërisë së Mesme- Kavajës, pritet që dhe ai i Shëipërisë së Veriut-Shkodra, të bjerë në duart e PS-së.
Sipas PD, Pjetri ka një të kaluar të dyshimtë kriminale në Itali, për shkak të së cilës i është ndaluar hyrja ato për gati 8 vite.
“Pse gënjen kur thua se ke shkruar rregullisht në Itali, ku sistemi TIMS konfirmon atë që PD ka thënë, që ti nuk ke shkelur ne Itali në periudhën 2002- 2010?”, u tha në një deklaratë për shtyp nga selia blu, pasi më parë, Pjetri pat thënë: “Nuk është e vërtetë, kam shkuar disa herë (Itali). Po të shikohet TIMS është e verifikueshme dhe prandaj kam këtë lloj qetësie”.
Për Pjetrin, opozita po i bën një gjyq publik, ndërkohë që duhet të jenë organet ato që ta thonë të vërtetën për figurën e tij.
“Është e vërtetë që gjatë javës së fundit kam qenë në qendër të sulmeve. Unë kam thënë se jam i hapur për çdo lloj verifikimi. Ky ngjan më shumë me një gjyq publik se me diçka tjetër. Asgjë nuk më ndal të punoj për bashkinë e Shkodrës”, tha Pjetri.
Nga ana tjetër, PD këmbëngul se njeriu që pritet të pasojë Voltana Ademin nën siglën e PS-së, ka ngjashmëri me Elvis Rroshin
“A je arrestuar dhe a je dënuar me 18 muaj burg në Itali, apo edhe ti nuk din gjë për këtë si Elvis Rroshi i Kavajës?
A të kanë dëbuar nga Italia si person që përbën rrezik për sigurinë publike atje?
A e njeh Altin Dodën dhe a ke qenë i përfshirë bashkë me të në trafik droge dhe vjedhje?
A buron pasuria jote nga trafiku i drogës dhe a jeni ju subjekt i ligjit antimafia?
Këto janë pyetjet që presin pergjigje qytetarët e Shkodres dhe jo gënjeshtrat e tua me zë të mekur dhe që shfaqin qartë hallin e madh ku ke rënë”, i është drejtuar PD me anë të një deklarate. /tesheshi.com/