Shqipëria nuk ndryshon pozicion në klasifikimin e përmuajshëm të FIFA-s. Kombëtarja mbetet në vendin e 57 me 575 pikë pasi gjatë muajit të fundit nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje. Mosndryshimi i pozicionit të muajit të fundit ndikohet edhe nga numri i pakët i ndeshjeve ndërkkombëtare që janë luajtur gjatë 4 javëve të fundit, transmeton Super Sport.
Ndryshime nuk ka as për tre prej kundërshtarëve të Shqipërisë në grupin eleminator të Euro 2016. Kështu, Portugalia qëndron në vendin e 7, Serbia mbetet në pozicionin numër 44, ndërsa Armenia në të 77-in. Ndërkohë, Danimarka humbet një vend duke zbritur në të 29-in.
Përsa i përket kreut, Gjermania vazhdon të kryesojë bindshëm. Kampionët e Botës mbajnë vendin e parë të ndjekur nga Argjentina dhe Belgjika. Në 17 vendet e para nuk ka asnjë ndryshim, por klasifikimi pritet të ndryshojë pas ndeshjeve të muajit qershor. /tesheshi.com/