Shkarkimi i Prof. Dr. Ramadan Zejnullahut nga detyra e rektorit të UP-së “Hasan Prishtina”, ka qenë padyshim një nga top-ngjarjet e vitit që po lëmë pas në Kosovë. Ai u shkarkua nga Këshilli Drejtues, tek i cili janë përthyer qarqe dhe interesa të caktuara politike, por që u kthye sërish në detyrë nga ministri Arsim Bajrami. Prof. Zejnullahu konsiderohet si figura më e mirë dhe më e kompletuar në krye të UP-së, përvec disa qarqeve. Dhe tani që ujrat janë qetësuar disi, ai, në një intervistë për ‘tesheshi.com’, flet për shumëçka që ka në qendër emrin e tij dhe të universitetit….
Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj
Universiteti i Prishtinës, i lidhur me shkarkimin tuaj si rektor, ishte në qendër të vëmendjes në vitin që po e lëmë pas. A i duhet universitetit një publicitet i tillë?
Unë mendoj se është mirë që Universiteti është vënë në qendër të vëmendjes së opinionit publik. Kjo tregon dy gjëra: se gjendja në këtë institucion është larg së dëshiruarës dhe se njerëzit janë të interesuar që kjo gjendje të përmirësohet. Më vjen mirë që më nuk po i fshehim problemet, sepse nga fshehja e problemeve kanë përfituar vetëm grupet e interesit që janë më të “merituarit” që Universiteti ka arritur në këtë gjendje. Prandaj, publiciteti që i është dhënë ngjarjeve brenda Universitetit ka ndihmuar të shtohet presioni për ta ndryshuar gjendjen në të cilën ndodhemi.
Ju keni insistuar të respektohen kriteret akademike në Universitet, ndërsa ka pasur vërejtje se këto kritere janë të paarritshme për kushtet tona. Ku qëndron e vërteta?
Nuk mund të flitet për kritere shumë të larta përderisa ato janë kritere të përcaktuara me nenet 175,176 dhe 177 të statutin e UP-së që është hartuar nga pjesa dërmuese e këtyre senatorëve dhe e miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Si qenka e paarritshme për kushtet tona që pas një karriere akademike 20-25 vjeçare, t’i publikosh pesë punime në revista të besueshme me recension ndërkombëtar, t’i publikosh pesë punime mbi bazën e të cilave të njeh edhe dikush jashtë departamentit dhe fakultetit tënd?
E gjithë kjo për të fituar titullin më të lartë në Universitet, atë të profesorit të rregullt. Ju siguroj se në asnjë vend të rajonit, përveç ndoshta në Shqipëri, askush nuk mund ta fitojë këtë thirrje me vetëm pesë punime gjatë gjithë jetës, por do t’i kërkohen shumë më tepër. Sa për informimin e lexuesit tuaj, në Universitetin e Shkupit, për thirrjen e profesorit të rregullt nevojitën të paktën nëntë punime shkencore me impakt faktor që indeksohen në Web of Science dhe Scopus. Dhe ne duam që edhe në këtë aspekt të jemi sui generis, duke mos i respektuar as kriteret minimale që vet i kemi aprovuar.
Nuk i keni përfillur kërkesat e studentëve për më shumë afate dhe për zbutjen e kushtit. A janë dëmtuar studentët?
Jo, nuk janë dëmtuar. Duhet të tejkalohet logjika se studenti ndihmohet kur i bëhet e mundur ta kryej vitin dosido, vetëm për të siguruar një lloj “paqeje” brenda Universitetit, ndërsa dëmtohet kur i kërkohet të respektohen rregulloret dhe vendimet që i kemi marrë vet. Kështu është vepruar me vite, duke shtuar afate të provimeve dhe duke përcaktuar kushte për regjistrim që vetëm se i kanë dëmtuar studentët ose kanë krijuar tek ata përshtypje të gabuar se po i kryejnë me sukses vitet e studimeve, ndërkohë që në thelb ata kanë pasur ngecje.
Afatet e provimeve janë të rregulluara me Statutin e UP. Në nenin 111 pika 2, shkruan shumë qartë: janar, qershor dhe shtator. Nuk shkruan tetor sepse, sipas nenit 139 të statutit, mësimi fillon më 1 tetor. Përkundër kësaj, me vendimin e Senatit nr. 2/792 të datës 8.12.2014 ne kemi tejkaluar Statutin, të mos them se e kemi shkelur, sepse kemi lejuar dy afate shtesë që nuk janë për kusht: nëntorin dhe prillin. Por, kemi qenë të kujdesshëm që për shkak të afateve shtesë të mos dëmtohet mësimi. Nëntori dhe prilli zgjasin një javë dhe mësimi i humbur kompensohet në fund të semestrit përkatës.
Kushti për regjistrimin e vitit vijues është rregulluar me neni 149 pika 1 e statutit të UP, i cili në praktikë thotë se studenti duhet ta përfundojë vitin aktual për ta regjistruar vitin tjetër, pra duhet t’i përfundojë të gjitha provimet. Edhe këtu kemi vendosur ta tejkalojmë statutin. Vitin e kaluar, me vendimin nr. 2/791 datë 8.12.2014 është përcaktuar që kushti për kalim nga viti i parë në të dytin të jetë një provim i pa dhënë, kurse kushti për kalim nga viti i dytë në të tretin të jetë dy provime të pa dhëna.
Në mbledhjen e Senatit të UP të datës 2.3.2015 edhe një herë është debatuar për vendimet që i përmenda. Për t’i dhënë fund një praktike e cila vazhdon në UP që nga paslufta, Senati i UP-së, në përbërje të plotë dhe pa asnjë votë kundër vendosi që në të ardhmen të mos procedohet asnjë kërkesë e cila bie ndesh me Ligjin mbi Arsimin e Lartë dhe me Statutin e UP-së.
Ju kanë akuzuar se e keni bllokuar punën e organeve të Universitetit. Pse Senati nuk ka mbajtur asnjë mbledhje nga shtatori i këtij viti?
Puna e organeve të UP nuk është bllokuar nga ata që parimet ligjore akademike i konsiderojnë bazament i të qenit dikush në botën që synon të bëjë progres akademik e shoqëror, por, nga ata të cilët në jetën akademike u futën mbi bazën e anashkalimit të procedurave, mbështetjes politike dhe klanore, por edhe nga përkrahja e servilëve të shumtë që i thonë vetes “profesor”, e të cilët kanë humbur orientimin njerëzor dhe guximin akademik në vrapin për përfitime joligjore që marrin si kundërvlerë për të qenë të tillë.
Me këtë më së tepërmi u dëmtuan ata që ngritjen e tyre akademike e kishin marrë me seriozitet dhe e kishin përgatitur në përputhje të plotë me kriteret e përcaktuara me statutin e UP, e në disa raste duke i tejkaluar ato kërkesa dhe duke ju ofruar praktikave të mira akademike të universiteteve, me të cilat do të dëshironim të krahasohemi.
Tash është e qartë se çdo procedurë akademike dhe joakademike në UP, kishte kaluar për vitet të tëra nëpër filtrat e vullnetit të këtyre grupeve, prandaj duhet kohë që kjo situatë të ndryshohet. Këtë nuk mund ta arrijmë shpejt dhe pa përpjekje të mëdha të të gjithëve që UP-në e konsiderojnë vend ku vjen në jetë dija. Kjo në asnjë mënyrë nuk do të arrihet me individët të cilët nënshkruajnë letra pa i lexuar e vijnë dhe ankohen se këtë e kanë bërë nën presionin e grupeve që në jetën akademike erdhën falë përshtatjes sonë me të keqen, qoftë për interes apo nga frika e fuqisë që ato grupe ushtruan mbi UP-në, por edhe mbi shtetin në përgjithësi.
Nga ana tjetër, “heshtja intelektuale” brenda UP-së që e ka zgjedhur një pjesë e konsiderueshme e stafit akademik nuk i ndihmon zhbllokimit të situatës. Me këtë heshtje përcillet mesazhi se puna e mirëfilltë akademike, në çdo kohë, mund të kushtëzohet nga mashtruesit akademikë të cilët ende nuk po binden se UP-ja nuk guxon te vazhdojë të viktimizohet për hir të atyre që dëshirojnë tituj të pamerituar, paga të pamerituara dhe respekt të rrejshëm
Po ashtu, ju kanë akuzuar se me deklaratat tuaja e keni dëmtuar imazhin e Universitetit në publik. A qëndron kjo?
Imazhin e Universitetit e kanë dëmtuar grupet e interesit të dirigjuara nga politika, të cilët, sa po e shoh, kishin qenë shumicë në poste udhëheqëse dhe në Senatin e Universitetit. Me vite e kanë dëmtuar imazhin e Universitetit duke shpërblyer lojalitetin me punësime dhe avancime akademike, madje edhe me nota. Imazhin e Universitetit e kanë dëmtuar ata që, jo vetëm që kanë rrënuar kriteret akademike, por e kanë promovuar mashtrimin akademik, qoftë duke u përfshirë vet në të, ose duke heshtur për këtë dukuri. Imazhi i Universitetit dëmtohet kur, me votën e atyre që e quajnë veten akademikë, zgjidhen në organin më të lartë qeverisës plagjiatorët e dëshmuar ose njerëz që nuk gëzojnë asnjë respekt në botën akademike, e të cilët, tani duhet t’i bëjnë politikat e zhvillimit të Universitetit.
Prandaj, tingëllon cinike kur grupet e tilla të akuzojnë për dëmtim imazhi, i cili, është këtu ku është, falë veprimeve të tyre. Çfarë paskan pritur ata nga unë? T’ua fsheh letrat ose t’ua falsifikoj ato që të fitojnë thirrje të pamerituara ashtu si i kanë fituar disa deri tani?
Situata eskaloi deri në atë masë sa Këshilli Drejtues ju shkarkoi nga detyra e rektorit, pastaj ministri e anuloi këtë vendim. Si ndodhi që ju u kthyet në postin tuaj pas shkarkimit?
E kam thënë me atë rast se vendimi për shkarkimin tim nuk kishte të bënte me mua dhe stafin tim por me idenë e reformës dhe progresit që ne po e përkrahnim fuqishëm dhe idenë e mashtrimit dhe shantazhit të cilën edhe kështu të vetmuar e refuzuam fuqishëm.
Shkarkimi im nga detyra e rektorit të Universitetit të Prishtinës ishte një veprim i planifikuar me muaj të tërë, i cili nuk u realizua plotësisht sipas skenarit. Sado që bënë përpjekje t’i sjellin “argumentet” e tyre, ata që kërkuan dhe e kryen shkarkimin kishin një arsye të vetme:të ndërpritet procesi i vënies së rregullit në Universitet dhe të rikthehet situata e kaosit e cila ka dominuar në 15 vitet e fundit, prej së cilës ata do të vazhdojnë të përfitojnë ashtu si përfituan deri tani. Më së shumti i dogji insistimi i menaxhmentit që të respektohen kriteret akademike minimale për avancime, të cilat i shkelën në të kaluarën dhe do t’i shkelin edhe në të ardhmen. Në këtë pikë arritën t’i mobilizojnë njerëzit që për ideal kanë interesin personal, ndërsa pjesën e tjetër e shantazhuan ashtu siç kanë vepruar dhe po veprojnë edhe sot.
Vendimi për t’u kthyer përsëri në postin e rektorit të UP-së nuk ishte i lehtë dhe e them se ishte vendimi i parë në jetën time të cilin nuk e kisha marrë pa ndikim. Po kush ishin ndikuesit në vendimin tim? Parasëgjithash përkrahësit e shumtë vendorë, por edhe ndërkombëtarë, të cilët arsye të vetme për moskthimin tim eventuale konsideronin qetësinë time personale dhe mosgatishmëri për sfidim të mëtutjeshëm.
Në një situatë të tillë, përkundër se isha ndjerë i lënduar, do të ishte e papërgjegjshme nga ana ime dhe e ekipit tim që ta braktisim Universitetin, edhe pse ishim të vetëdijshëm për të gjitha pengesat që do i kemi. Prandaj, vendosëm të qëndrojmë në krye të Universitetit, deri në përfundimin e procesit zgjedhor të cilin e propozova vet si një mundësi për UP-në për të reflektuar mbi rrugën që do i përcaktoj vetës në 4 vitet e ardhshme. Gjatë kësaj periudhe ne po vazhdojmë me respektimin e ligjshmërisë dhe të standardeve akademike, duke mos bërë kompromise që dëmtojnë cilësinë dhe kredibilitetin e institucionit.
Meqë po i afrohemi fundit të mandatit tuaj, çfarë mund të na thoni për sukseset dhe dështimet e juaja si rektor?
Unë e kam quajtur programin tim “program stabilizimi”, sepse kam qenë i vetëdijshëm se situata në Universitet është shumë e vështirë. Mendoj se gjatë këtij mandati, si ekip menaxhues, kemi arritur të fusim rend në regjistrimin e studentëve që ka qenë një burim potencial i korrupsionit në Universitet dhe opinioni e di se kjo nuk ka qenë punë aspak e lehtë. Pastaj, kemi arritur të fusim një rend në organizimin e studimeve dhe të afateve të provimeve, të cilat nuk mund të jenë më në funksion të blerjes së “paqes” me organizata studentore. Arritëm të fusim një rend në angazhimet e stafit të jashtëm që, në vitet e kaluara, ka qenë një pikë e dobët e Universitetit. I shkëputëm kontratat e dyfishta dhe tani jemi në procesin e reduktimit të shumë punësueshmërisë si njërin nga shkaktarët kryesor të rënies së cilësisë.
Kemi arritur edhe një shkallë të lartë ndërgjegjësimi për nevojën e respektimit të kritereve akademike, edhe pse kjo përpjekje na ka kushtuar me shkarkim të padrejtë. Megjithatë, është mirë që ka ndodhur një gjë e tillë, pasi përfundimisht janë demaskuar grupet e interesit që po e shpërdorin Universitetin tani 15 vjet. Kohë më parë riaktivizuam Qendrën për përsosmëri në mësimdhënie dhe gjithashtu lansuam programin elektronik për vlerësimin e mësimdhënies. Këto ditë kemi paguar qasjen në një ndër bibliotekat më të mëdha elektronike në botë, Science Direct të Elsevier, e cila do të jetë në dispozicion të mësimdhënësve dhe studentëve që nga dita e parë e vitit 2016.
Më vjen keq që nuk kam arritur t’i mobilizoj njerëzit brenda Universitetit për t’iu kundërvënë në mënyrën më kategorike të mundshme dukurive negative brenda Universitetit. Jo për shkak timin, por për shkak të Universitetit, i cili ka nevojë për një mbështetje më të madhe nga brenda.
Çfarë prisni nga zgjedhjet e përgjithshme në Universitet? A ka shpresë për Universitetin?
E kam thënë edhe më parë se UP është futur në rrugën e vetnënshtrimit nga ana e së keqes. Ajo që ne u përpoqëm të bëjmë ishte që ta nxjerrim nga kjo rrugë, por nëse kjo nuk është e mundur atëherë në atë rrugë ne nuk do të jemi prijës. Unë kam ardhur në krye të UP-së pikërisht për t’i luftuar këto skandale akademike dhe për të dalë përpara studenteve tanë me dije dhe dinjitet. Përderisa jam në ketë pozitë nuk lejoj qe gishtat e mashtruesve te promovojnë mosdijen. Nëse dikush e ka kthyer UP-në në çerdhe të mosdijes e mashtrimit, janë pikërisht disa senatorë e dekanë, te ndihmuar nga një pjesë e fuqishme e klaneve politike.
Individëve të inkriminuar që janë stabilizuar në vendimmarrje në institucione nuk të takon tu përkujtosh moralin dhe këtë nuk e bëmë në të kaluarën e nuk do ta bëjmë as në të ardhmen për asnjë qëllim. Fundja është e qartë se individi nuk mund ta bëj atë që duhet ta bëj shteti, aq më parë kur shteti vet është kapur nga grupet parapolitike që i kishte krijuar dhe mbivendosur në menaxhim te institucioneve. Divorci me këto grupe, në këtë kohë të vështirë, do të ju shkaktoj tërmet. Prandaj, shpesh, për të evituar këtë veprojnë edhe kundër bindjes dhe mandatit që kanë.
Tash e kam shumë të qartë se edhe përkundër përpjekjeve të mëdha dhe durimit të pafund, masa për ndryshime pozitive në UP nuk mund të krijohet lehtë dhe shpejt apo ndoshta kjo nuk po ndodhë për shkakun se në krye është një rektor si unë (do të doja të ishte kjo e fundit). Këtë jam munduar ta analizoj shumë herë. U mundova ta bind veten se ja vlen të qëndrohet edhe kur ndihesha i vetmuar por, çdo herë isha i bindur se edhe Kosova, herët a vonë, do të bëhet Shoqëri e Dijes, pra vend ku dija krijohet dhe vlerësohet, vend ku dija është në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm. Edhe sot vazhdoj të besoj në këtë, por jo në një kohë të afërt.
Ju faleminderit për intervistën dhe Ju urojmë të gjitha të mirat në vitin 2016.
Ju faleminderit juve. Shfrytëzoj rastin që të gjithë lexuesve të portalit tuaj të Ju uroj Vitin e Ri 2016, duke dëshiruar që, gjatë viteve në vijim, të jenë dëshmitarë dhe pse jo, edhe aktorë, të përmirësimit të gjendjes në arsimin e lartë në trojet shqiptare. /tesheshi.com/