Nga Blendi Gashi
Me gjithë vështirësitë e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, Ministria e Integrimeve Evropiane që nga muaji shtator i vitit të kaluar ka mbetur pa “zot shtëpie”, kohë kur ish-ministri Bekim Çollaku la këtë dikaster për të shkuar në kabinetin e presidentit Hashim Thaçi.
Ndonëse shumë herë PDK-ja e Kadri Veselit premtoi se do emërojë një zyrtar të saj në këtë pozitë, një gjë të tillë nuk e ka bërë ende.
Një premtim të tillë e bëri vet Veseli gjatë një takimi që zhvilloi me përfaqësuesen e BE-së, Natalyia Apostolova, më 25 janar ku tha se “gjatë javës do emërohet ministri”. Por sërish ministri nuk u emërua.
Për të zë vendin e Çollakut u përmendën shumë emra, por si kandidat potencial mediat nxorën deputeten Blerta Deliu-Kodra dhe Uran Ismajlin që është këshilltar i Veselit.
Portali tesheshi. com ka mësuar arsyet pse kaq shumë është zvarritur ky proces dhe pse deri më tani PDK nuk ka gjetur një kandidat për ta zëvendësuar Çollakun.
Burime të konfirmuara të portalit thonë se një prej arsyeve kyçe pse Veseli ende nuk ka vendosur për çështjen në fjalë është se në fillim ka pasur “përplasje” brenda partisë se kush duhet të emërohet ministër.
“Pas dorëheqjes së Çollakut janë përmendur shumë emra brenda PDK-së se kush mund të jetë personi që do e udhëheq Ministrinë e Integrimeve. Që atëherë brenda partisë ka filluar të themi një ‘luftë’ mes individëve për të përzgjedhur një person të caktuar. Janë bërë disa grupe duke përkrahur kandidatë të ndryshëm dhe kështu partia nuk ka mundur të nxjerrë një vendim. Por, kjo ka ndodhur në fillim, në dy muajt e parë pas ikjes së Çollakut në Presidencë”, thotë burimi.
Pas kësaj gare dhe daljes në media të disa emrave sipas burimit tonë, gara se kush duhet të ulet në pozitën e ministrit të Integrimeve, ka nisur të zbehet dukshëm, duke u bërë post i padëshirueshëm.
“Pas kalimit të muajve, dhe mos dakordimit për një kandidat, çuditërisht zyrtarë të PDK-së sidomos emrat e të cilëve janë dalë në opinion nuk janë shprehur të gatshëm të marrin pozitën e Çollakut. Arsyeja është pasi thonë se nuk duan të ‘digjen’, pasi kanë frikë se qeveria do rrëzohet brenda këtij viti dhe mendojnë që në një qeveri të re të marrin mandate të plotë si ministër i ndonjë dikasteri qeveritar”, thotë burimi.
Megjithatë, burimi shton se nëse Veseli kërkon nga cilido zyrtar i partisë që të merr timonin e Ministrisë Integrimeve, ajo do ndodh.
“Shumë shpejt për këtë çështje pritet të vendos Veseli. Asnjë prej emrave që është përmendur nuk mund t’i thotë jo Veselit nëse ai vendos. Megjithatë, nuk mendoj se do emërohet deputetja Deliu në postin e ministres, as Uran Ismajli edhe pse do ishte mirë që ky i fundit të bëhej”, thotë burimi.
Tesheshi.com ka kontaktuar disa deputetë të PDK-së, por ata nuk kanë pranuar të japin ndonjë emër se kush mund të emërohet ministër i Integrimeve, duke thënë shkurt se “ende nuk kanë informata se kush nga kolegët e partisë mund të emërohet”.
Nga e gjithë kjo situatë, mund të konkludohet se qeveria aktuale ose nuk e ka fare prioritet agjendën e integrimit europian, ose Ministria e Integrimit nuk mund të luan një rol të tillë, por është formuar si një dikaster qeveritar për të akomoduar njerëz partiakë. /tesheshi.com/