Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Turqi, MKG-ja, ka rekomanduar zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Në takimin e zhvilluar dje, që ka zgjatur thuajse gjashtë orë e që është drejtuar nga presidenti i vendit, është sugjeruar zgjatja e gjendjes së jashtëzakonshme përtej afatit tremujor.
“Eshtë rënë në një mendje për të rekomanduar zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme për të garantuar vijimësinë e zbatimit efektiv të masave që synojnë të mbrojnë demokracinë tonë, rendin ligjor, si dhe liritë e të drejtat e qytetarëve tanë,” thuhet në deklaratën e bërë publike pas takimit.
Gjendja e jashtëzakonshme u vendos në Turqi më 20 korrik, pesë ditë pas përpjekjes së dështuar për grusht shteti, gjatë së cilës humbën jetën më shumë se 240 persona e u lënduan 2.200 të tjerë.
Kushtetuta e Turqisë parashikon deklarimin e gjendjes së jashtëzakonshme për një periudhë deri në gjashtë muaj. /tesheshi.com/