Spanja po përballet me krizën më të madhe kushtetuese të dekadave të fundit, pas zhvillimit të referendumit të djeshëm në Katalonja. Rezultati i referendumit i hapi dyert rajonit për pavarësi, ndërsa kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy, i ka drejtuar një apel udhëheqësve të Katalonjës që të mos vijojnë në tej proçedurat.
Referendumi u konsiderua i paligjshëm nga qeveria qendrore dhe gjykata, ndërsa policia spanjolle ndërhyri brutalisht për të mbyllur qendrat e votimit.
Si rezultat i përplasjeve me mbështetësit e referendumit, u lënduan mbi 800 persona dhe 13 policë. Por edhe kjo ndërhyrje e policisë nuk arriti të pengonte zhvillimin e referendumit, ku sipas qeveritarëve rajonalë, 90 % e votuesve mbështetën pavarësinë nga Spanja.
Të hënën, rrugët e Barcelonës, kryeqytetit katalanas, kanë qenë të qeta, por editorialet në gazeta vlerësojnë se referendumi do të sjellë përplasje të reja.
“Po hyjmë në një fazë të grevave dhe protestave në rrugë, me më shumë lëvizje, me më shumë shtypje”, shkruan gazeta katalonjase La Vanguardia.
“Qeveria spanjolle u tregua pa arsye e vrullshme dhe e dhunshme në trajtimin e referendumit të Katalonjës. Tani është koha të flitet me qetësi”, shkruan britanikja Times.
Katalonja është qendër e industrisë dhe turizmit të Spanjës dhe përbën një të pestën e ekonomisë së saj. Rajoni është bazë e prodhimit për shumë kompani multinacionale, nisur nga Volksëagen deri te Nestle.
Presidenti i rajonit, Carles Puigdemont, tha mbrëmjen e të dielës se votuesit kanë fituar të drejtën për pavarësi nga Spanja.
“Në këtë ditë shprese dhe vuajtjeje, qytetarët e Katalonisë kanë fituar të drejtën për shtet të pavarur në formë të republikës”, tha Puigdemont në një fjalim televiziv.
Por, kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, ka fuqi kushtetuese për ta shkarkuar qeverinë rajonale dhe për ta vënë Katalonjën nën kontrollin qendror deri në zgjedhjet e reja.
Një gjë e tillë, siç vlerëson agjencia Reuters, do t’i rriste tensionet në rajonin me 7.5 milionë banorë, që ka kulturën dhe gjuhën e vet, ndërsa mund të dëmtojë edhe ekonominë e brishtë të Spanjës.
Bankat kryesore të investimeve kanë thënë se presin që kriza të zgjidhet me një ofertë nga Rajoy për më shumë autonomi të Katalonjës.
Rajoy tha se është i gatshëm për diskutime politike, por dialogu duhet të zhvillohet “brenda ligjit”.
“Propozoj që të gjitha partitë politike me përfaqësim parlamentar të takohen dhe të reflektojnë mbi të ardhmen”, tha Rajoy.
Mbi 40 sindikata të Katalonjës kanë thirrur të martën greva dhe protesta për shkak të “shkeljeve të rënda të të drejtave dhe lirive të njeriut”.
“Marrëdhëniet e komplikuara të Spanjës me rajonin e Katalonisë po hyjnë në rrugë të panjohura, thuhet në një analizë të BBC-së. /tesheshi.com/