Mëngjesin e së shtunës, policia ndërhyri për të shpërndarë të rinj-studentë të Fakultetit të Infermerisë ardhur nga privati, të futur në grevë urie për shkak të tarifave të larta. Edhe pse renditet ndër grevat me motive të diskutueshme drejtësie – përballë tyre u shfaqen si oponentë studentë të Mjekësisë – është momenti për ta riparë të drejtën për greva urie. Si në shumë aspekte, sistemi që kemi zgjedhur të ndërtojmë marrëdhëniet dhe jetët tona, çalon kur vjen fjala për specifika të veçanta. Ta themi troç: jemi abuzues me lirinë si dimension të këtij sistemi, ndërkohë që jemi të paaftë për të ndërtuar shtet ligjor dhe shtet të së drejtës, që rregullon shumëçka, e nuk na bën të rendim si të marrë për t`u futur në greva urie, për çdo problem ose mosdakortësi me shtetin. Të themi troç dhe këtë tjetrën: që grevat e urisë duhet të ndalohen me ligj. Kjo, derisa të kemi një sistem funksional drejtësie, që i le ato si alternativa në emër të lirisë sesa si forma të detyruara zgjidhjeje ngërçesh. Shndërrimi i “grevës së urisë” nga një akt vital e ideal siç qe ajo e para, greva e studentëve të Dhjetorit `90, në një lloj fasolete ku po tenton të fshijë hundët gjithkush që e zë rrufa, e bën dhe më të nevojshme abrogimin e saj me ligj. Imagjinoni ç`mund të ndodhte sikur për çdo problem që kanë, shqiptarët të vendosnin ta zgjidhnin me greva urie?! Jo, nuk do binim në peshë si popull, por do zhyteshim në kaos shoqëror, ku nuk do mirej më vesh se kush po e ha e kush po e refuzon ushqimin.
Ndërsa sa për politikën, është koha që ajo të ndryshojë qasje. Vëreni me kujdes ç`po ndodh: çdo parti, kur është në opozitë bën pikërisht atë që nuk donte t`ja bënin kur është në qeverisje. Kjo mazhorancë kur ishte dje në opozitë bënte grevë urie, e madje digjte dhe goma rrugëve të atdheut, ndërsa sot hajt të guxojë kush të ndërmarrë akte të tilla. Ndërsa opozita, nëse kërkon vërtet të na mbush mendjen se ajo ka reflektuar e se po të vijë në pushtet do sjellë standarte të tjera sjelljesh, nuk duhet të rend drejt çdo greve e proteste për t`i kapitalizuar politikisht, pa pyetur për të drejtën ose jo, të atyre që protestojnë. Përndryshe do ndodhet vetë nesër në situatë mazhorance, ku një sjellje si ajo me ish-të përndjekurit politikë që u kapën për leckash, e që madje lanë dhe një të vdekur si bilanc tragjik, do t`i shndërrohet në boomerang. Më e shëmtuar se vetë ndërhyrja policore në pikë të mëngjesit, ishte “avokatia” e përshpirtshme e opozitës ndaj grevës së studentëve!
(tesheshi.com)