Pas reagimeve të shumta nga politikanët, kanë reaguar edhe Ambasada Amerikane dhe Zyra e Bashkimit Evropian për rrahjen ndaj Arbana Xharrës, zyrtarës më të re të PDK-së.
Ambasadori amerikan, Greg Delawie, ka thënë se është tmerruar nga akti brutal ndaj Xharrës, dhe ka kërkuar që sulmuesit të sillen para drejtësisë.
“I tmerruar nga sulmi brutal ndaj Arbana Xharrës. I uroj shërim sa më të shpejtë dhe besoj se sulmuesit do të sillen shpejtë para drejtësisë”, ka shkruar Delawie, në Twitter.
Kurse shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, sulmin e ka konsideruar kundër vlerave njerëzore, gjithashtu ka bërë thirrje nga institucionet relevante t’i ndëshkojnë keqbërësit.
“E tronditur nga sulmi ndaj Arbana Xharrës. Bashkimi Evropian qëndron mbi çdo sulm kundër vlerave njerëzore. U bëj thirrje institucioneve për t’i ndëshkuar keqbërësit”, ka shkruar ajo në Twitter.
Kujtojmë se Xharra, është rrahur me mjete të forta të shtunën në orët e hershme të mëngjesit nga persona tash për tash të panjohur.
Policia ka njoftuar se sulmi ka ndodhur në afërsi të banesës së saj pas orës 01.00 pas mesnatës ndërmjet të premtes dhe të shtunës dhe Xharra nga lëndimet trupore që ka marrë është dërguar për shërim në QKUK, dhe tashmë është liruar në shtëpi. /tesheshi.com/