Vetëm pak orë pas vdekjes së Fidel Kastros, revolucionarit e komunistit që e qeverisi Kubën për disa dhjetëvjeçarë, kanë ardhur dhe reagimet e para.
Siç raporton The Guardian, Ministria e Jashtme e Spanjës është shprehur kësisoj për largimin nga kjo jetë të Kastros: “Ka ikur një figurë me rëndësi të madhe historike, një njeri që soli një pikë kthese në evolucionin e vendit dhe ndikimi i madh i të cilit u ndje anembanë rajonit. Si biri i prindërve spanjollë, ish-presidenti Kastro ruajti gjithmonë lidhje të forta me Spanjën…”
Presidenti i Meksikës, Enrique Pena Nieto, shkruan për vdekjen e ish-udhëheqësit kubanez: “Unë vajtoj vdekjen e Fidel Kastros, udhëheqësit të revolucionit kuban dhe emblemën e shekullit të njëzetë.”
Nicolas Maduro, presidenti i Venezuelës, i ka më të larta tonet revolucionare në reagimin e tij: “Për të gjithë revolucionarët e botës, ne kemi për ta ndjekur trashëgiminë e tij, flamurin e tij të pavarësisë, të socializmit…”
“Ai ishte një njeri i madh,” shprehet presidenti i Ekuadorit, Rafael Correa. “Fideli ka vdekur. Rroftë Kuba! Rroftë Amerika Latine!”
I pakursyer në lëvdata ka qenë dhe kryeministri i Indisë, Narendra Modi.
“Fidel Kastro ishte një prej personaliteteve më ikonike të shekullit të njëzetë. India vajton humbjen e një miku të madh,” shkruan ai në rrjetet sociale. /tesheshi.com/