Themelues i WikiLeaks, Julian Assange, i akuzuar nga Uashingtoni për spiunazh dhe i kërcënuar me ekstradim në SHBA, është në rrezik për jetën, tha Nils Melzer, raportuesi i Kombeve të Bashkuara për torturat dhe format e tjera të trajtimit mizor, çnjerëzor dhe poshtërues.
Ai shprehu shqetësimin për përkeqësimin e shëndetit të Assange pas arrestimit dhe ndalimit të tij që nga fillimi i vitit, duke deklaruar se jeta e tij ishte në rrezik.
“Nëse Mbretëria e Bashkuar nuk e ndryshon sjelljen ndaj Assange, ekspozimi i tij ndaj arbitraritetit dhe abuzimit mund t’i kushtojë jetën”, tha ai.
Ai gjithashtu tha se ishte veçanërisht i shqetësuar për informacionin e ri mjekësor nga disa burime të besueshme, sipas të cilave Assange kishte hyrë “në një cikël të pakthyeshëm ankthi, stresi, pafuqie, e cila është tipike për njerëzit e ekspozuar ndaj izolimit të zgjatur dhe arbitraritetit të vazhdueshëm”.
“Megjithëse është e vështirë të parashikosh me siguri zhvillimin e këtyre simptomave, ato së shpejti mund të shndërrohen në kushte kërcënuese për jetën si arrest kardiak ose goditje nervore”, shtoi Melzer.
Assange u dëbua nga ndërtesa e ambasadës ekuadoriane në Londër, më 11 prill, ku ai u strehua në vitin 2012, dhe u arrestua menjëherë nga policia britanike.
SHBA ka kërkuar ekstradimin e Assange pas 18 akuzave ndaj tij.
Nëse do dënohet për spiunazh në Shtetet e Bashkuara dhe tradhëti për lëshimin e dokumenteve sekrete të shtetit, ai përballet me një dënim me burg disa vjet. /tesheshi.com/