Gjashtë muajt e parë të vitit kanë qenë më të nxehtët që prej kohës kur kanë nisur regjistrimet 136 vjet më parë. Sipas raportit më të fundit të hartuar nga Agjencia amerikane Oqeanike dhe Atmosferike, qershori ishte më i nxehti që nga viti 1880, sikundër marsi dhe maji, ndërsa janari dhe shkurti renditen të dytët për nga temperaturat e larta që nga nisja e regjistrimeve.
Nga shirat e rrëmbyeshëm në Turqi dhe në luginën e Ohajos, tek temperaturat tepër të larta në Alaskë e Spanjë, bota u përball me motin më ekstrem që nga nisja e mbajtjes së të dhënave.
“Jemi në një ashensor dhe nuk ka asnjë shenjë se ai po ngadalëson”, tha një zëdhënës i agjencisë amerikane të motit.
Në muajt e kaluar, temperatura rekord u regjistruan në Britani dhe në Shtetet e Bashkuara, ku nxehtësia solli edhe një valë zjarresh në pyje.
“Jo vetëm që temperaturat janë rritur, por ato janë rritur në një nivel të paprecedent”, thotë Jessica Blunden, shkencëtare e klimës në agjenci.
Shkencëtarët nuk mund të shpjegojnë shkallën e rritjes së temperaturave. Ky vit pritet të jetë më i nxehti që kur nisën të mblidhen të dhënat në shkallë globale.
Në disa pjesë të Turqisë ra gati dyfishi i reshjeve normale, ndërsa pjesë të Australisë përjetuan qershorin më të nxehtë që kur mbahet mend.
Në Shtetet e Bashkuara, dimri i sivjetëm solli reshjet më të dendura të dëborës në histori, ndërsa së fundmi zjarret e fuqishëm shkretuan pjesë perëndimore. Tajfunet e përmbytjet janë bërë mëse të zakonshme tashmë e raporti nuk përmban akoma të dhënat e korrikut, që shënojnë rekord më vete. /tesheshi/