Një ndër “Donald Trump”-ët e Kosovës, Ramiz Kelmendi, biznesmen e së fundi dhe zv/kryeministër, ka thënë në një intervistë për Kosova Press se sipas tij, qytetarët i janë gëzuar faktit që ai është tashmë numri 2 i qeverisë, gjë që në gjykimin e Kelmendit u ka dhënë shpresë.
“Mua ma merr mendja që më shumë qytetarë dhe aktorë ekonomikë i janë gëzuar pozitës sime si zëvendëskryeministër. Për arsye se kam nxit shpresa tek ata, që proceset ekonomike do të shkojnë dhe do të jenë më ndryshe se që ka qenë”, ka thënë Kelmendi. Ndër të tjera, ai ka sqaruar dhe rolin e tij në qeveri si zëvëndës i Isa Mustafës, dhe se ishte mjaft i kënaqur që ia ka arritur kësaj dite.
“Jam i kënaqur me dimensionimin tim të ri politik në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Në veçanti si zëvendëskryeministër. Për këtë pozitë kam punuar jashtëzakonisht shumë. Për të implementuar idetë dhe projektet që i kam të bazuara nga përvoja ime shumëvjeçare si biznesmen i suksesshëm. Në këtë Qeveri e kam gjet veten mirë. Për arsye se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Mustafa, është një Qeveri e cila e din mirë gjuhën e ekonomisë dhe për mua ka qenë jashtëzakonisht e lehtë që këto ide dhe përvoja të inkorporohen, sidomos duke bashkëpunuar me ministri të caktuara”.
Ramiz Kelmendi është ndër njerëzit më të pasur të Kosovës, e që si shumë të ngjashëm si ai, vendosi t’i hyjë politikës. Dhe pas disa kalimeve nga një parti në tjetrën, vendosi të stacionohet tek LDK-ja, duke e parë veten shumë shpejt deri në krye të qeverisë. /tesheshi.com/