Një qytetar që jep një apartament me qira do të duhet të paguajë 15% tatim mbi të ardhurat personale ndërsa një qytetar që ka aksione në një kompani do të mjaftohet duke paguar vetëm 6 për qind tatim mbi dividentin.
Po kështu, rreth 10 mijë shqiptarë me paga më të larta se 130 mijë lekë në muaj, përfshirë këtu edhe 140 deputetët dhe 16 ministrat, do të marrin një ulje të tatimit mbi të ardhurat personale nga paga.
Programi për qeverisjen e vendit 2017-2021, i cili u miratua në Kuvendin e Shqipërisë bashkë me qeverinë e re javën e kaluar, premton katër ndërhyrje në sistemin e taksimit: Uljen e Tatimit mbi të Ardhurat Personale për fashën e lartë në 18%; uljen e tatimit mbi dividentin në 6%; uljen e tatimit mbi fitimin për prodhimin e teknologjisë së informacionit në 5% dhe; njohjen si shpenzime të zbritshme të interesave të kredive për shtëpi të marra nga familjet e reja për shtëpinë e parë.
Dy premtimet e dyta janë të pashtjelluara dhe të paqarta, por dy premtimet e para janë konkrete dhe lehtësisht të realizueshme.
Tatimi mbi dividentin është një tatim që paguajnë pronarët e aksioneve të korportatave të mëdha kur korporata u shpërndan atyre divident nga fitimet. Aktualisht ky tatim është në masën 15%, njësoj si tatimi mbi të ardhurat personale nga qiratë, interesat bankare, honoraret e të drejtës së autorit apo të ardhurave nga fitimet kapitale në shit-blerjen e pronave të patundshme dhe titujve. Kjo është një nga taksat që qeveria “Rama 1” rriti për të gjithë qytetarët bashkë me tatimin mbi fitimin e kompanive nga 10% që qe deri në vitin 2015 në 15% që është aktualisht.
Të dhënat e fundit të disponueshme nga Ministria e Financave për tatimin e dividentit të paguar i përkasin vitit 2015. Atë vit, të ardhurat nga tatimi mbi dividentin qenë 635 milionë lekë, gjë që do të thotë se në rast se tatimi ulet nga 15 në 6%, përfituesit e këtyre të ardhurave do të kenë një ulje të faturës fiskale prej rreth 3 milionë euro në vit. Kjo është një shifër e papërfillshme në të ardhurat e përgjithshme të buxhetit të shtetit si dhe një shifër jo domethënëse për të ardhurat e përgjithshme nga dividentët të pronarëve të kompanive që shpërndajnë divident, por përmendja e një uljeje të tillë të pabarabartë taksash për më të pasurit si objektiv i rëndësishëm i qeverisë tregon qëndrimin pro të pasurve të qeverisë që mburret se ka bërë “taksim të ndershëm” në Shqipëri.
Ulja e dytë e premtuar i përket fashës së sipërme të tatimit mbi të ardhurat nga paga. Aktualisht, shqiptarët me paga mbi 130 mijë lekë, paguajnë tatim mbi të ardhurat personale në masën 23% për të ardhurat mbi këtë nivel. Propozimi i qeverisë është ulja e pragut të sipërm në 18%. Rreth 10 mijë vetë të punësuar në Shqipëri nga 600 mijë që marrin rrogë, kanë të ardhura më të larta se kjo shumë, ndërkohë që pjesa dërrmuese e shqiptarëve kanë të ardhura më të ulëta. Ulja e nivelit të sipërm të tatimit mbi të ardhurat personale nga paga nga 23 në 18% do t’i japë efektivisht një rritje page prej disa dhjetëramijëra lekësh në muaj këtij grupimi. Mes përfituesve janë edhe 140 deputetët e Kuvendit, paga e të cilëve është rreth 150 mijë lekë në muaj si dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, kryeministrit dhe presidentit.
Dy premtimet e tjera në fushën e taksave janë të paqarta. Programi i qeverisë shkruan: ” Tatim-Fitim për prodhimin në Teknologjinë e Informacionit për të nxitur zhvillime në një industri të domosdoshme për zhvillimin ekonomik afatgjatë të shkojë në 5%”.
Sa për fillim, teknologjia e informacionit është treg shërbimesh dhe jo prodhimi. Programi nuk shpjegon se çfarë do të thotë “prodhim në Teknologjinë e Informacionit”. Kompanitë që mund të përfitojnë nga një masë e tillë nuk dihen.
Premtimi tjetër është akoma më i paqartë. Qeveria thotë: “T’u jepet ndihmë familjeve të reja për blerjen e shtëpisë së parë duke njohur si shpenzime të zbritshme interesat e kredive të marra për këtë qëllim”.
Në vendet e zhvilluara zakonisht familjet paguajnë pjesën më të madhe të tatimit mbi të ardhurat personale (TAP) me anë të vetëdeklarimeve. kjo do të thotë se kur një familje ka, fjala vjen, 100 USD të ardhura nga biznesi i tij, apo nga shërbimet që ofron në treg, ai deklaron në tatime këto të ardhura dhe paguan tatimin përkatës. Shtetet janë në gjendje që të njohin shpenzime të zbritshme, fjala vjen, kur një familje shpenzon për arsimin e fëmijës, ky shpenzim i zbritet në të ardhurat e përgjithshme para se t’i llogaritet tatimi mbi të ardhurat. Efektivisht shteti i fal tatimin për një lek, nëse ky lek shkon për një shpenzim të dëshirueshëm, siç mund të jetë arsimi, shëndetësia apo banesa, shkruan Birn.
Problemi është që në Shqipëri njësia e tatueshme nuk është familja por individi. Problemi i dytë është që në Shqipëri nuk ka pothuajse asnjë situatë në të cilën tatimi paguhet me vetëdeklarim. Në shumicën dërrmuese të rasteve, tatimi mbi të ardhurat personale mbahet në burim. Nëse një shqiptar ka të ardhura nga paga, tatimi mbi të ardhurat personale të paguara prej tij llogaritet nga punëdhënësi, i mbahet nga paga neto punëmarrësit dhe transferohet në buxhetin e shtetit nga punëdhënësi. Problemi i tretë është që të ardhurat në Shqipëri taksohen në mënyrë të ndarë. Nëse një qytetar ka të ardhura nga paga, ai paguan TAP sipas një skeme të veçantë. Nëse përveç pagës ka edhe të ardhura nga depozitat bankare, ai paguan 15% mbi të ardhurat nga interesat, e me radhë. Kjo e bën që qytetarët të mos kenë një llogari të vetën në tatime e për rrjedhojë, e bën teknikisht të vështirë llogaritjen, njohjen, zbritjen apo rimbursimin e një shpenzimi të zbritshëm siç supozohet se do të bëjë qeveria aktuale me programin e saj katërvjeçar.
Edhe qeveritë e mëparshme patën premtuar, e madje patën shkruar në ligj politika të tilla fiskale që synojnë të nxisin familjet të shpenzojnë në një fushë të caktuar. Qeveria e mëparshme “Berisha 1”, miratoi njohjen si shpenzime të zbritshme të interesave bankare për kreditë për arsim. Nuk dihet nëse ndonjë shqiptar ka përfituar ndonjëherë një ulje të tillë. /tesheshi.com/