Në një intervistë për spanjollen “El Periodico”, kryemnistri Rama tha se nuk është ai që ka probleme me median por e kundërta.
“Unë nuk kam një marrëdhënie të keqe me median; ata e kanë me mua: jo gjithmonë ata pëlqejnë atë që unë të them dhe atë që unë mendoj, kur ata thonë atë që duan. E kuptoj që mosmarrëveshja është për shkak të një projektligji të propozuar.
Unë kam kërkuar që të kemi rregulla për median online, ashtu siç ka për ato tradicionale. Asgjë tjetër. Ne jetojmë në një kohë të vështirë në të cilën shumë njerëz, në emër të lirisë së shprehjes, bëjnë shumë dëm me akuza të pabazuara në fakte”, tha shefi i qeverisë shqiptare.
Rama hodhi poshtë dhe cilësimin e Shqipërisë si një Kore e Veriut, thënë nga presidenti Meta.
“Ne jemi një demokraci e re, adoleshente dhe kemi një mënyrë shumë të pasionuar, ndonjëherë ekstreme, bardhë e zi, mënyra urrejtjeje ose dashurie për të diskutuar. Ne jemi akoma në procesin e maturimit, sepse me shekuj nuk kemi pasur as institucione demokratike dhe as rregulla. Thënë kjo, nëse do të ishim vërtet Koreja e Veriut, ne nuk do të ishim duke folur bashkë”, ishte arsyetimi i Ramës.
Sa për largimin masiv të shqiptarëve, ai tha se është fenomen i kohës e jo vetëm shqiptar.
“Nuk njoh asnjë vend në Europë, me pak përjashtime, që nuk e përjeton këtë fenomen. Ndodh me Portugalinë, Italinë, Greqinë, Kroacinë, me të gjithë. Është normale. Nuk ka asgjë që mund të bëjmë, sepse të rinjtë që vijnë nga zonat më të largëta duan të kenë mundësi menjëherë. Unë nuk e shoh këtë si një tragjedi. Është një fenomen i kohës sonë”, theksoi Rama. /tesheshi.com/