Në kulmin e zallamahisë së “revolucionit” të opozitës, Edi Rama ka marrë ftesën zyrtare për të zhvilluar një vizitë shtetërore në qendrën e Bashkimit Europian në Bruksel, ku do të pritet nga Kryetari i Komisionit Europian, Jean Claud Juncker, i cili do t’i japë një lajm mbi atë se kur Shqipërisë do t’i hapen negociatat me BE-në.
Lajmi u bë i ditur nga vetë Edi Rama, në një takim me Komisionerin e Zgjerimit Johannes Hahnn, pikërisht në suazat e një samiti të madh që BE ka zgjedhur Tiranën si vendbajtjen e saj.
Dhe në kulmin e kësaj ofensive diplomatike, Edi Rama ka ftuar në Tiranë ekipin e tij “vip” të këshilltarëve të lartë, që ka brenda dy ish-kryeministra, Toni Blair, ish-kreun e qeverisë britanike, si dhe Zoran Milanoviç, ish-kryeministër i Kroacisë. Natyrisht pa harruar “trurin” e strategjistëve që i ka sjellë Ramës dy fitore elektorale, spin-doctor-in e Blair-it, Alaistar Cambell.
Siç mësohet, Rama po shtyn lobimin në qarqet politike të shteteve anëtare që të jepet një OK paraprak për të hapur negociatat, por që gjithçka mund të prishet apo mund të ndreqet prej samitit të Kretës, ku Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias do të mbyllen në një dhomë bashkë me stafin e tyre për të arritur një dakordësi për të gjitha problemet që Athina dhe Tiranë kanë prej vitesh pezull. Pikërisht këtu është drejtuar lobimi i Ramës, që të arrijë të bindë Alexis Tsiprasin që të mos të vendosë veton e tij në takimet që përfaqësuesit e Greqisë do të zhvillojnë në Bruksel, në kuadrin e tryezave teknike për të përgatitur raportin final.
Nga deklarata e Athinës ditën e shtunë do të varet në një lloj mënyre edhe humori i përgjithshëm i takimit të dhjetorit, ku Rama do të pritet nga Juncker për të marrë një përgjigje paraprake për hapjen e negociatave. Vetë ardhja e ftesës zyrtare është një hap që mund të përkthehet pozitivisht, pasi kemi të bëjmë me një nivel tepër të lartë vizite.
Dhe, nëse bëhet një lloj paralelizmi me deklaratën e Hoyt Yee që nuk duhet të priten në BE zyrtarët e vendeve që dyshohen për korrupsion, kjo do tregojë se Rama është konsideruar i “pastër” përballë akuzave të opozitës së Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit.
Sipas të gjitha gjasave, e gjithë ajo frenezi sulmesh ka pasur si qëllim pikërisht anulimin e vizitës së Edi Ramës në Bruksel – sipas kriterit të Hoyt Yee – pra që stafi i Junckerit ta anulonte nga axhenda takimin e kreut të Komisionit Europian me kryeministrin shqiptar, pikërisht duke e bombarduar opinionin me çështjen e krimit dhe të drogës.
Ndërkohë, ka një tërheqje të lehtë të opozitës nga dinamika e akuzave, e cila u vu re që dy ditë më parë pas shpalljes së Task-Forcës Ndërkombëtare të Luftës kundër Krimit të Organizuar, ku Donald Lu dha deklaratën e famshme për “ngrënien e peshqve të mëdhenj”.
Prania në atë mbledhje jo vetëm e ambasadorëve të SHBA-së dhe BE-së, por edhe të një ministri të rëndësishëm të Britanisë së Madhe, sikur e ka prishur planin që në një farë mënyrë kryqëzohej edhe me sulmin që vinte ng Athina.
Paralel me këtë zhvillim, është dhe zbutja e Greqisë për Himarën, ku Athina zyrtare shprehet “pro”- zhvillimit urban të qytezës së Bregut, mjaft që mos cenohej prona.
Përveç nervozizmit të spin-doctorëve të opozitës ndaj ambasadorit Donald Lu dhe sulmet ndaj Vllahutin-it, duket se aksioni politik ka ulur intensitetin e tij.
Madje ish-kryeministri Sali Berisha, i cili në Kuvend çdo të enjte nuk ndalet në sulmet e tij pafund, sot ka përdorur një variant më ndryshe: duke e sulmuar Ramën që ka bërë një pakt me Vuçiçin në kurriz të Kosovës. Pra, nga e enjtja e shkuar ku Edi Rama ishte “nacionalisti” që mbrojti Himarën e Berisha “kozmopoliti” që fliste për marrëveshje, sot ka pasur pozicione të përmbysura.
“Kam denoncuar me përgjegjësinë me të madhe qëndrimet albanofobe të Vuçiçit dhe Ramës ndaj shqiptarëve të Preshevës, në këtë periudhë mjalti midis këtyre dy zyrtarëve më të lartë.
Regjimi i Vuçiçit ka ndërmarrë masa antishqiptare ndër më të egrat që ka njohur Presheva, Bujanvoci, Medvegjia.
Ai synon ripopullimin e këtyre trevave të pastra shqiptare me refugjatë nga trojet e tjera të Ballkanit. Në dhunim të ligjit dhe Kushtetues, regjimi Vuçiçit ka zëvendësuar udhëheqësit vendorë legjitim me vasalë të tij, të cilët marrin në një mbledhje 50 e ca vendime të diktuara nga Beogradi, të miratuara nga Edvin Kristaq Rama”, – tha Berisha.
Ish-kryeministri, duket se po lëshon një sinjal të qartë tek ndërkombëtarët se ai është ende faktor për të trazuar ujrat me kartën nacionaliste, duke mos ja falur atyre mbështetjen ndaj Edi Ramës.
Por megjithatë loja nuk duket se është mbyllur. Të gjithë janë me sy e veshë nga Kreta… /tesheshi.com/