Ndërsa në Kosovë po votohet pas 11 ditësh fushatë, në Shqipëri vijohet të kontaktohet elektorati për zgjedhjet e 25 qershorit. Dhe këtë të dielë, veçohet premtimi i kryeministrit Rama për rritje 40 për qind të rrogave në katër vitet e ardhshme, bërë në Roskovec. Deri më sot Rama nuk kishtë bërë premtime të tilla, që në fakt ngjajnë tëpke si ato të 11-ditëshit në Kosovë, ku kampion premtimesh, edhe me shifra, ishte sidomos Kadri Veseli, njeriu në krye të PDK-së që po investohet për Ramushin kryeministër.
Sipas Ramës, kjo do të ndodhë ngase në katër vite ekonomia është llogaritur që të rritet me 5.5 për qind.
“Jemi të bindur se mund ta çojmë ekonominë tonë mbi 5.5 përqind nëse na jepni timonin. Ne jemi të bindur se rrogat minimale do ta çojmë në 300 mijë lekë, se do të rrisim çdo ditë pensionet. Ne jemi të bindur se duke hequr taksën mbi vlerën e shtuar dhe duke kthyer subvencionin për fermerët në një sistem të drejt, do t’i japim çdo fermeri mundësinë që të ngrihet ekonomikisht si asnjë herë më parë. Ne jemi të bindur se rrogat do t’i rrisim 40 përqind në 4 vitet e ardhshme. Rilindja urbane do të shtrihet në njësitë administrative, deri në fshatin më të largët. Ripërtëritja e sistemit arsimor do të vazhdojë, vetëm nëse ju nuk i lejonin partitë e tjera që të mos fusin duart”, tha Rama.
Po ashtu gjatë ditës së sotme Rama ishte në Rrogozhinë, ku denoncoi koalicionet e trajtuara si tepsi pushteti – pra LSI-në që kërkon të ekzistojë duke përfituar porcione postesh nga aleancat – e që sipas shefit të qeverisë rrënojnë shtetin, duke vijuar më pas me Kavajën në inspektimin e përroit të Leshnicës, që po shndërrohet në atraksion pushimi e zbavitës. Në këtë qytet, Rama vizitoi dhe xhaminë qendrore duke iu uruar besimtarëve agjërim të lehtë këtë Ramazan. /tesheshi.com/