Edi Rama ka urdhëruar ekzekutimin e procesit të verifikimit të titujve të pronësisë, i cili ka mbaruar prej dy javësh dhe pritet të shkaktojë tërmetin më të fuqishëm në 25 vjet, ndoshta edhe më të madh se ai që pritet të shkaktojë Reforma në Drejtësi.
Një grup i vogël i vendosur në një zyrë në kryeministri, “gati anonim” kanë kaluar në sitë prej 2 vitesh pjesën më të rëndësishme të tapive që janë dhënë nga autoritetet shqiptare, duke shmangur pronarët real apo duke shpronësuar me grabitje shtetin shqiptar.
Ajo që Edi Rama deklaroi një javë më parë në Kuvend se ka arritur një pakt me Gjykatën e Strasburgut se nuk do të ketë më vendime për shpërblim me lekë nga shteti shqiptar, duket se ka qenë pikërisht rezultati i verifikimit të tapive, të cilat kanë nxjerrë një të dhënë të frikshme, e cila do të jetë shumë e vështirë që të zbatohet.
Ndaj ajo po ecën në paralel me reformën në drejtësi, që i gjithë procesi të konkretizohet apo merret në dorë nga gjyqtarët e rinj që priten të emërohen nga Këshilli i ardhshëm i Gjyqësorit.
Në Kuvend ka shkuar një projektligj, i cili pritet të miratohet në seancën e së enjtes pikërisht për verifikimin e titujve të pronësisë. Në fakt bëhet fjalë për një ndryshim në ligjin aktual të miratuar në vitin 2009, në të cilin thuhet se procesi i verifikimit shtyhet për gjashtë muaj.
Pikërisht kur pritet të iniciojë dhe trupa e re e gjyqtarëve pas reformës.
Në ligjin aktual theksohet se “Kur gjatë verifikimit të dokumentacionit konstatohet se titulli i pronësisë mbi tokën bujqësore është lëshuar në kundërshtim me dispozitat e përcaktuara, Komisionet Vendore marrin vendim për pavlefshmëri të plotë apo të pjesshme të titullit të pronësisë.
Nëse pavlefshmëria e pjesshme vjen si shkak i mosrespektimit të normës për frymë të fshatit dhe toka bujqësore është ende në emër të mbajtësit të parë të titullit të pronësisë, përpara marrjes së vendimit për pavlefshmëri të pjesshme, sipërfaqja shtesë i ofrohet këtij subjekti përkundrejt pagesës, e cila llogaritet sipas hartës së vlerës së tokës së AKKP-së, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Sipërfaqja e ofruar nuk duhet të kalojë 10 për qind të sipërfaqes që i takon subjektit, referuar normës për frymë të fshatit”.
Vendimi i KV-së merret pasi të jetë vënë në dijeni mbajtësi i parë i titullit të pronësisë së kundërligjshme dhe i komunikohet atij brenda 8 ditëve. Vendimi, përveç deklarimit të pavlefshmërisë, përmban edhe detyrimin e pagesës së vlerës së tokës.
Të ardhurat që krijohen nga pagesa e vlerës së llogaritur të tokës, vihet në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për t’i përdorur për kompensimin financiar të pronarëve./tesheshi.com/