Në seancën e kësaj të enjteje në Kuvend, kryeministri Rama ka shkëmbyer batuta me ish-ministrin e Brendshëm, Flamur Noka, por që nuk kishin lidhje me temën e arsimit për të cilën po debatohej. Duket se Rama nuk është mjaftuar me deklaratat e përsheshit për deputeten Mimoza Hafizi, por e ka ngacmuar atë në distancë, duke iu drejtuar Nokës me fjalët : po shtohen ata që hanë përshesh.
“Kujdes se po ju shtohen njerëzit që hanë përsheshin tuaj, kështu që luftoni fort, të meritoni lugën e Saliut se nuk ka lugë për të gjithë”, theksoi Rama, duke iu drejtuar Nokës.
Deputetja Hafizi, pas largimit nga radhët e partisë Socialiste ka ndryshuar edhe ulësen në Kuvend. Ajo është ulur pranë deputetëve të grupit parlamentar të PDIU-së, ndërsa një ditë më parë kishte premtuar se deklaratave ofenduese të Ramës do u përgjigjej nga foltorja e parlamentit. /tesheshi.com/