Edhe fjalimin javor në FB, kryeministri Edi Rama ia ka kushtuar anti-klientelizmit të njohur të LSI-së. Duke e quajtur atë por dhe ndonjë tjetër “parti tepsie”, Rama tha se as posti i kryeministrit nuk i duhej me ato nëpër këmbë.
“Lejomëni sot t’ua them sinqerisht, fare troç, nuk kam më asnjë motiv të rri në karrigen e Kryeministrit si deri më sot duke pranuar që administrata e shtetit të vazhdojë të rrijë peng i partive, duke pranuar që për të marrë votat për një reformë për të bërë shtet të pranojmë shantazhet dhe listat e kërkesave të partive të koalicionit për t’u lëshuar drejtorinë në këmbim të votës dhe deri tek vende pastruesesh nëpër institucione për votën për një reformë. Duke pranuar dorëzimin përballë këtij kanceri sfilitës në trupin e shtetit që duhet operuar rrënjësisht sot për të vazhduar ngritjen në këmbë të shtetit shqiptar. Për mua është më e qartë se kurrë, Shqipëria kërkon një vendim historik me 25 qershor. Nga ai vendim nuk do varet kush do të qeverisë në katër vitet e ardhshme por si do të jetë ky vend. Pas katër vitesh administrata e shtetit do të kthehet nga halli juaj i madh sa here niseni për tek një zyrë në shërbëtorin më të madh tuajin të zhvillimit ekonomik dhe social, punësimit dhe mirëqënies kombëtare dhe familjare shqiptare, këtë e vendos vota”.
Shefi i qeverisë shqiptare i konsideroi historike zgjedhjet e 25 qershorit, pikërisht për këtë arsye, përkthyer si “izolim me votë” i atyre që ekzistojnë vetëm për t’iu gëzuar tepsisë.
“Portën e drejtësisë po e hapim dhe do ta hapim deri në fund në katër vitet e ardhshme duke pastruar pallatin e drejtësisë nga gjykatës dhe prokurorët e korruptuar. Portën e shërbimeve në zyrat e shtetit mund ta hapim me 25 qershor me shtysën e fuqishme të një vote popullore për PS.U kërkoj sot ndihmë të gjithëve pa dallim bindjesh politike që të bëjmë për këtë vend atë që na kanë lënd amanet të gjithë njerëzit që e deshën këtë vend.Unë e kam ndarë mendjen për të luftuar deri në ditën e fundit në këtë detyrë për Shqipërinë që frymëzuesit e mi, rilindasit tanë donin për ne dhe që ne duam për fëmijët tanë. Po jua a do ta ndani mendjen që ta bëjmë këtë luftë deri në fund me kokëfortësi shqiptarçe dhe me ambicie europiane duke u bashkuar në 25 qershor për flamurin kuq e zi të Ismail Qemalit”. /tesheshi.com/