Kryeministri Rama shprehu bindjen se në asnjë rast tjetër nuk mund të bëhej më shumë e më mirë në menaxhimin e pasojave të tërmetit.
I përballur me akuza e kritika, si nga politika e si nga media, për një reagim jo imediat të shtetit – opozita e cilëson si “prej kartoni” përballë tërmetit – Rama tha se “njerëzit do kthehen në shtëpi më të mira dhe nuk besoj se në kushte të tjera do bëhej më mirë se kaq”.
Komentet e tij u bënë te selia e PS-së, aty ku ai mblodhi kryesinë.
Ndër të tjera, në përgjigje të interesit gazetaresk, Rama shprehu pezmin e tij për faktin se PD nuk është në parlament, gjë që sipas tij nuk ka sjellë të mirë as për vendin e as për vetë atë si parti.
“Do ishte mirë që PD të ishte në parlament, por ka marrë vendimin e vetë të ikë duke dëmtuar rëndë PD, nuk e ka bërë më të mirë jetën politike të vendit, por gjërat funksionojnë edhe pse mund të funksiononin më mirë. Jemi të gatshëm të ulemi në tryezë të mbajmë shënime. Ne jemi të zgjedhur për të udhëhequr, nuk presim sa të zgjohen nga gjumi”, u shpreh Rama.
Ndërkohë, shefi i mazhorancës dha dhe lajmin e fundit të epokës së komisionerëve partiakë në procese votimi, e vendosur kjo në komisionin e Reformës Zgjedhore.
“Në zgjedhjet e e ardhshme do kemi komisione zgjedhore të depolitizuara. Votat do t’i besohen njerëzve që nuk kanë asnjë lloj zelli në raport me partitë e tyre për të zgjedhur ligji”, shtoi njeriu që drejton qeverinë. /tesheshi.com/