Ceremonia e inagurimit të muzeut “Bunk’Art2” në oborrin e ministrisë së Brendshme nuk ka shkuar, siç ishte parashikuar. Madje, u shoqërua edhe incidente. Një dron që mbante një pankartë të madhe ka tërhequr vëmendjen e të pranishmëve, pasi në të shkruhej “Edi Kristaq Rama, kërko falje për vrasjen e Havzi Nelës”. Mësohet se autorësia e këtij veprimi ishte e ish-të përndjekurve politikë. Havzi Nela ishte poet dhe më datë 10 gusht 1988, në orën 02:00 të mëngjesit u ekzekutua me varje, në mes të qytetit të Kukësit.
I cilësuar si vazhdimësia e “BunkArt 1”, kreu i qeverisë u shpreh se ky muze shpërben për krijimin e një identiteti të ri të mijëra personave të pushkatuar përmes gjyqeve të montura, ku shumë prej tyre nuk u janë gjendur as eshtrat. Ai tha se hapja e këtij bunkeri ka një qëllim, kujtesën dhe nderimin e viktimave të regjimit komunist.
“Kushdo që thotë ky është një bunker për të risjellë në formë shprehjeje nostalgjie dhunën e së kaluarës përmes të qëndruarit të tij në sheshin, sipër ka një detyrim moral, të vijë dhe ta vizitojë dhe ta qepë gojën përballë kujtimit të viktimave, të cilat për herë të parë në historinë e këtyre 25 viteve kanë një hapësirë që t’u flasin njerëzve drejtpërdrejtë, jo përmes të tretëve, jo përmes librave, kujtimeve, fjalimeve, por fizikisht”,- tha Rama.
Ai u bëri një ftesë të rinjve për ta vizituar dhe për tu njohur më mirë me të kaluarën.
“Është një muze për ata që lindën ditën kur u shemb bunkeri i diktaturës dhe që e kanë të pamundur të krijojnë një ide të qartë, duke dëgjuar historitë e të tjerëve”,- tha kryeministri.
Një vit më parë, në 8 dhjetor ky bunker u sulmua nga protestuesit, ndërsa akuzonin kryeministrin Rama se përmes tij po shprehte nostalgjinë për regjimin.
Në ceremoninë e hapjes së “Bunk’Art2”, i pranishëm ishte edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri./tesheshi.com