Në kulmin e akuzave për projektin e stadiumit “Qemal Stafa”, kryeministri Edi Rama ka gjetur kohë sot t’u përgjigjet kritikëve, përmes një reagimi të tijin në rrjetin social Facebook.
Rama shprehet se stadiumet duhet të jetojnë 7 ditë në javë jo vetëm kur ka ndeshje dhe të jenë objekte me mjedise e hapësira shumëqëllimshe për jetën urbane, të cilat ofrojnë shërbime, argëtim, relaks, për të gjitha moshat.
“Sqaroj se ky projekt është bashkëpunim i Qeverisë me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe ne po bëjmë atë që dështoi ta bënte qeveria paraardhëse, e cila si në të gjitha punët e tjera, premtoi stadiumin për 100-vjetorin e pavarësisë, tentoi ta jepte me koncesion, me garanci të kripur financiare nga buxheti i shtetit dhe në fund bëri një vrimë në ujë! Ne do ta bëjmë Arenën Kombëtare në partneritet me privatin, ku partneri publik do jetë FSHF-ja, po ama pa paguar asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit”, – thotë Rama në reagimin e tij.
Ai bën me dije më tej se do përfitojmë përmes FSHF-së, një mbështetje financiare 10 milionë euro nga UEFA, pikërisht falë ambicies e standardeve të projektit të përzgjedhur. UEFA që supervizon gjithë stadiumet e reja në Europë, që nga skicat e para deri në gurin e fundit, “çuditërisht” entuziazmohet për projektin dhe jep fonde.
“Këta që e lenë Shqipërinë pa asnjë stadium për Kombëtaren e për klubet në kupat e Evropës, i japin gojës për një projekt që do ta bëjë Shqipërinë vend aplikant, për të marrë finalet e Europa League apo Superkupës së Evropës!.. Mirë me qeverinë, po me Kombëtaren çfarë kanë xhanëm?!”, – shkruan ndër të tjera Kryeministri. /tesheshi.com/