Është rivendosur më në fund një komunikim mes Ramës dhe Erdoganit, dy miqve dhe partnerëve të fortë politikë për vite me radhë, por me një raport të krisur së fundi nga devijimet gati të paskrupullta të kryeministrit shqiptar, duke bërë “më çifut së çifutin” në përkrahjen e Izraelit pas 7 tetorit 2023 e krahasimin e Hamasit me nazistët. E gjitha kjo në kohën kur Turqia dhe Erdogan zgjedhin ta shpallin Hamasin si grupim çlirimtar e Izraelin si shtet terrorist. Por më shumë se kaq, shpallja nga Rama e një shteti bektashi ishte një shok për Ankaranë, e cila nuhat e sheh një skemë tejet të rrezikshme në këtë projekt me “qitje të largët”, pas së cilit me gjasë mund të qëndrojë Izraeli.
Dje, Rama dhe Erdogan kanë patur një bisedë telefonike mes tyre, pra një ditë para zgjedhjeve në Shqipëri, ku kryesocialisti me gjasë do vijojë me mandatin e katërt, nisur nga sondazhet që e nxjerrin fitues.
Sipas njoftimit të bërë në llogarinë e mediave sociale të Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës turke, në bisedën mes tyre janë diskutuar marrëdhëniet dypalëshe midis Turqisë dhe Shqipërisë, si dhe zhvillimet rajonale dhe globale.
Gjatë bisedës, Presidenti Erdogan tha se Turqia i kushton rëndësi miqësisë dhe dialogut me Shqipërinë dhe se bashkëpunimi midis dy vendeve do të vazhdojë të forcohet në të ardhmen.
Erdogan tha gjithashtu se mbajtja e samiteve të Komunitetit Politik Evropian dhe Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore në Shqipëri ishte një tregues i profilit në rritje të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe i uroi atij suksese.
Presidenti Erdogan uroi që zgjedhjet parlamentare që do të mbahen të dielën në Shqipëri të jenë të dobishme.
Sigurisht, kjo është gjuha zyrtare, ajo e drunjta. Do jenë kohët në vijim ato që do qartësojnë se ç’kahje do marrë raporti mes të dyve. Kujtojmë këtu se një raport i prishur mes Erdoganit dhe Berishës nuk u rikuperua kurrë. Lideri turk nuk ia fali ish-kryeministrit shqiptar një pabesi tipike të këtij të fundit gjatë një votimi për Palestinën në OKB. /tesheshi.com/