Kryeministri Rama është “bërë i gjallë” dy ditë pasi u shfaq në Riad të Arabisë Saudite me Princin Bin Selman, duke paralajmëruar prezantimin e asaj që e quan “Paketë Speciale antiKÇK”.
“Nesër prezantojmë Paketën Speciale AntiKÇK. Një mekanizëm i ri me fuqi speciale kundër krimit e korrupsionit. Falë ndihmës së ekspertëve të huaj të klasit të parë në luftën kundër terrorizmit, mafias dhe krimit të organizuar, ky mekanizëm do shkatërrojë themelin e foleve të krimit”, shkruan Rama.
Më tej, ai futet në debatin e ditës me protagonist kreun e shtetit, duke theksuar:
“Sot kur partnerët strategjikë të Shqipërisë dhe ambasadat e tyre janë vënë në shënjestrën e politikës mjerane të të çmendurve nga frika e drejtësisë, Paketa Speciale AntiKÇK do të provojë përsëri, se sa të paçmueshëm janë këta partnerë në luftën e Shqipërisë për progres dhe drejtësi.
Pa mbështetjen e SHBA/BE dhe ndihmën e përfaqësuesve të tyre në Shqipëri,s’do kishte nisur dot kurrë pastrimi i llumit të madh të (pa)drejtësisë e s’do të ishte hapur dot kurrë perspektiva e barazisë së vërtetë para ligjit! Edhe Paketa Speciale AntiKÇK s’do të bëhej dot pa ndihmën e tyre”, përfundon shefi i qeverisë. /tesheshi.com/