Radovan Karaxhiç, i dënuar në Hagë me 40 vjet burg për gjenocid, zyrtarisht iu lidh një pension në moshën 73 vjeç, ku do të paguhet nga Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor të Republika Srpska. Informacioni u konfirmua nga vajza e tij, Sonja Karaxhiç Joviçeviç.
Sipas saj, Karaxhiç në fund të vitit 2016, paraqiti një kërkesë për të drejtën për pension pleqërie.
“Karaxhiç ka të drejtë si të gjithë qytetarët e tjerë të siguruar”, thanë zyrtarë të Fondit Pensional, duke shtuar se ai kishte mbledhur më pak se 27 vite shërbim. Por e bija Sonja tha se pensioni i babait të saj nuk është llogaritur për të gjitha vitet e shërbimit.
“Paradoksi është se periudha kur ai ishte president (i Republika Srpska) nuk është përfshirë për shkak të dokumentacionit jo të plotë”, shtoi ajo.
Radovan Karaxhiç para luftës ka punuar si inspektor sanitar dhe shëndetësor.
Pensioni do të merret nga bashkëshortja e tij, Ljiljana Zelen Karaxhiç. /tesheshi.com/