Delegacioni i Kosovës mbërrin në Pallatin e Kongreseve nga ku pritet të fillojë takimi i dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës. Qeveritarët e Kosovës kanë mbërritur me një autobus ku kanë udhëtuar nëpërmjet Rrugës së Kombit. Në pikën e Morinit ata janë pritur nga zv.kryeministri Niko Peleshi, ndërkoh që në kryeqytetin shqiptar janë dyndur një numër i madh gazetarësh jo vetëm shqiptarë por edhe nga rajoni. Ditën e sotme është parashikuar që Tiranën ta vizitojë edhe Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Johanes Hahn. Ndërkaq Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ndodhet për një vizitë zyrtare në Mal të Zi.
Qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës do të nënshkruajnë edhe 11 marrëveshje, memorandume dhe protokolle, përmes të cilave pritet të thellojnë partneritetin strategjik në disa fusha të rëndësishme, si në fushën e sigurisë, shfrytëzimin e përbashkët të pajisjeve për kontrollin e kufirit, për bashkëpunim financiar, për lehtësimin tregtar, në bujqësi, kulturë, në fushën e arsimit, etj.
Rreth orës 12:20, do të zhvillohet edhe konferenca për shtyp e dy kryeministrave të qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës