Ajo që pritej ka ndodhur: Rudina Hajdari, e bija e të ndjerit Azem Hajdari, simbolit të demokracisë dhe PD-së, ka bërë të qartë vendimin për të mos e dorëzuar mandatin. Kështu, ajo vendos të bëjë historinë porsi i ati dikur, duke mos iu nënshtruar linjës politike të partisë së tij.
Dhe, duke kujtuar se dhe i ati u përjashtua dy herë nga ajo – PD-ja, znj.Hajdari tha, ndër të tjera, se e ka të vështirë të luftojë krah LSI-së.
Ka qenë një intervistë për VOA-n në shqip që ka sqaruar gjithçka, dhënë për gazetarin Ilirian Agolli.
Cili është vendimi juaj?
Vendimi im ka të bëjë me të ardhmen e Shqipërisë. Unë mendoj se është që parlamenti i jep oksigjen demokracisë në vend, i jep oksigjen partive politike. Është vendi ku ne përfaqësojmë sovranin. Prandaj duke marrë parasysh që kjo është një përgjegjshmëri shumë e lartë, që unë ndjej mbi shpatulla, mendoj që qëndrimi në parlament do të ishte vendimi më i duhur, që do i bëja dhe shërbeja të ardhmes së Shqipërisë.
Pse e morët këtë vendim?
Më duhet të sqaroj se kur u mor vendimi nuk kam qenë në mbledhjen e PD-së nuk jam kontaktuar në asnjë lloj forme. Por pavarësisht kësaj, mendoj se edhe nëse do të isha do të parashtroja, ky mendime; për të dorëzuar mandatet në grup dëmton interesin e Shqipërisë në dy mënyra; dëmton procesin integruese në BE dhe marrëdhëniet me SHBA dhe BE-në. Mendoj që ky vendim është një vendim i cili është marrë në mënyrë rrufe dhe kur marrim vendime pa i menduar, mund ta paguajmë shumë shtrenjtë, vendi rrezikon që të shkojë në destabilitet. Unë do të doja që Shqipëria të mos e përjetonte këtë gjë, që të mos të shkonte drejt asaj rruge. Kjo lloj model politike që e ka çuar Shqipërinë në destabilizim, shqiptarët e kanë paguar shtrenjtë.
Ata që nuk janë bindur janë cilësuar si tradhtuar…
Këto akuza vijnë me njerëz me shpirt të ngordhur dhe shpresështypësit e këtij vendi. Unë nuk e shes shpirtin tim. Kur shpirti shitet nuk blihet më. Mua më shqetëson të jem një përfaqësuese e mirë e këtij populli dhe të vijojmë që të ecim përpara për zhvillimin e Shqipërisë.
Murrizi u përjashtua, keni frikë se do të ndodhë e njëjta gjë me ju?
Dua ti kujtoj PD-së që nuk është hera e parë që përjashton anëtarë, ka ndodhur me tim atë, dy herë dhe më duhet të theksoj se ata janë penduar. Im atë është kryetari historik i PD-së. Ai është përjashtuar dy herë nga PD dhe PD-ja është penduar. Duhet të jemi shumë të matur para se të marrim këto lloj vendimesh. Unë nuk mund të ndjek një vendim kolegjial që shkon kundra frymës së Kushtetutës dhe interesit. Më vjen keq nëse zhgënjej partinë, por do të zgjedh interesin e Shqipërisë.
Do të bashkëpunoni me kolegët opozitarë në parlament?
Gjërat janë shumë në ajër dhe nuk dihet se cfarë do të ndodhë. Do të kem një marrëdhënie korrekte me kolegët. Do të punoj fort me intelektualët dhe studentët, por kjo bëhet duke përfaqësuar njerëzit brenda parlamentit. E kanë paguar të tjerë këtë cmim ne duhet të ecim përpara. Edhe nëse më përpara kam pasur dëshirë që të bëhem pjesë me sistemim doja ta përmirësoja sistemin, jo ta rrëzoja.
Si e shikoni situatën politike?
Nuk mund të futemi në një mes që nuk shohim krye se cfarë do të ndodhë, nuk mund të parashikojmë se cfarë rreziku do i bjerë PD-së. E kam të vështirë që të luftoj krah LSI-së, është njëra nga partitë që ka pasur probleme për këtë fenomen po të shikosh raportin e OSBE-së. Ne duhet të vijojmë që të jemi PD-ja, por duke përmirësuar sistemin aktual. Ne e kemi sjellë sistemin demokratik në Shqipëri.
Marrë nga VOA