Kritikë permanentë të Ramës, nga ata të tipit “hip se të vrava, zbrit se të vrava”, kanë zgjedhur ta telendisin nën mospëlqimet, akuzat, deri dhe talljet, rreth protagonizmit të tij në situatën post-tërmetore, se si 24 orë në 24 e sheh ngado e me çdokënd, në një komunikim të pandëprerë, me një shumëllojshmëri dialogimesh e deklarimesh, duke e quajtur që të gjithë këtë si një shfaqje politike, apo më rëndë akoma, sharlatanizëm politik. E me gjasë, nëse nuk do qe kjo, akuza do ishte e tipit: “a ka kryeministër ky vend?”, “ku është fshehur kryeminstri?”, “ku je kryeministër” e te ngjashme.
E nuk ndodh që, kritikët, të ofrojnë modelin se si quhet të qe sjellja qeveritare në të tilla raste, apo se ç’modele ofrojnë për raste të ngjashme nga bota, gjë që mund të shërbejë si provë e akuzës ndaj “sharlatanit” në krye të qeverisë.
E gjithë ajo çfarë po bën Rama, sigurisht në llojin e tij, tipologjinë komunikative që e karakterizon, nuk është asgjë më shumë se të njëjtat rrethana që do bënte edhe Berisha po te qe në krye të qeverisë, e gjithashtu dhe Basha. Nuk ka asnjë mundësi të jetë apo të ishte ndryshe. Sepse është krejt e natyrshme që, në situata si kjo, krejt të pazakonta, të shohësh të parin e vendit të jetë i pari kudo, në realitet e në lajme. Po a bëjnë politikë? Varet nga leximi, por sigurisht që bëjnë edhe politikë. Atë, të bërit politikë, e kanë sa të vetëdijshme aq dhe instiktive.
Bën Rama politikë, bën dhe Basha gjithashtu. Madje shprehja e këtij të fundit në refuzimin qëi bëri ftesës së Ramës duke thënë se “nuk është koha për politikë e as për propagandë”, ishte një naivitet i vërtetë. Sepse, nëse ai vetë do zgjidhte mos bënte politikë apo propogandë, nuk do ndodhte të kishte për çdo prani në realitetet post-tërmetore, edhe kamerat e televizioneve mbas vetes . Por nuk ka asnjë mëkat nëse bëjnë politikë. Mëkatin e kanë te rezultati i saj; nëse nuk shkon në dobi të njerëzve.
Fjala vjen, sërish në terma politikë, a mund të dalë dikush e të thotës se nëse në këtë situatë, në vend të Ramës të ishte Berisha (ose Basha), menaxhimi dhe rezulati do ishte ky apo ai, referuar këtij a apo atij rasti, kësaj apo asaj aftësie veçantie njerëzore? Sigurisht që jo. E kjo për faktin se është një situatë unike, e pandodhur në 30 vite konkurencë politike, me rivalë e kundërshtarë politikë. Nuk jemi në një rast përmbytjeje, diçka me të cilën Shqipëria është familjarizuar. E nuk besohet se çdokush që te qe në krye të vendit këto ditë, do “mirëkuptohej” për çfarë do thoshte e bënte.
Këtu është rasti për të kujtuar atë që ndodhi në fundit e një festivali kënge në RTSH aty nga mesi i viteve ’90. Në minutat kur pritej të ndaheshin çmimet, po interpretohej një korale e natyrës operistike – kujto trion e përgatitur nga Suzana Turku – dhe, nga fundi i sallës së Pallatit të Kongreseve, një grup çunash të bezdisur nga zhanri larg shijes së tyre muzikore, shpërthyen në thirrjet ironike: “Bravo Sale(Berisha), na e bone kishë!”. Shumë nga kritikët ngjajnë me ata çunat në radhën e fundit, që zbuluan te koralja gjurmët e keqqeverisjes së Berishës. /tesheshi.com/