Produktet agrobujqësore me origjinë nga Perëndimi e që hyjnë në Rusi në shkelje të embargos vendosur vitin e kaluar nga Moska, do të shkatërrohen rregullisht duke nisur nga 6 gushti. Urdhëri vjen nga presidenti rus, Vladimir Putin. Kreu i Kremlinit firmoi dekretin sot, duke “kërcënuar” të gjithë ata që nuk zbatojnë kundërsanksionet e Moskës ndaj Perëndimit.
Në gushtin e vitit të kaluar, Rusia bllokoi importimin e frutave, perimeve, mishit e peshkut që vinin nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian dhe vende të tjera që kishin vendosur sanksione për krizën në Ukrainë.
Importi i këtyre produkteve kap një vlerë prej 9 miliardë dollarë në vit.
Por, disa nga këto produkte nuk munguan për qytetarët rusë për shkak të furnizimit nga tregu i zi. Ato ende mbërrijnë në treg në mënyrë të paligjshme në Rusi, sidomos nëpërmjet Bjellorusisë dhe Kazakistanit që bëjnë pjesë në bllokun ekonomik euroaziatik që drejtohet nga Moska. /tesheshi.com/