Incidentet e shumta që kanë ndodhur kohëve të fundit në Veri të Mitrovicës, si shpërthime me granata dore, zjarre etj., si dhe moszbardhja e këtyre rasteve mund t’iu kushtojë me shkarkime eprorëve të policisë në këtë pjesë.
Ky është paralajmërimi që ka dhënë drejtori i Departamentit për Operacione në Policinë e Kosovës, Rashit Qalaj, përmes një letre dërguar në adresë të krerëve më të lartë të policisë në Veri, ku i kritikon për perfomancën e dobët.
Në këtë raport të shkruar në dy gjuhë, shqipe dhe serbe, thuhet se “gjendja e tanishme është shumë e papranueshme dhe nuk do të tolerohet më, dhe se kjo dukuri duhet të ndalet në mënyrë që qytetarët në veri të fillojnë të ndjehen të sigurt”.
“Kolegë të nderuar, kërkoj nga ju që të angazhoni hetuesit ditë e natë, të ndërmarrin të gjitha aktivitetet hetimore në mënyrë që të fillojmë të kemi rezultate. Nëse atyre ju duhet mbështetje nga niveli qendrorë qoftë në njerëz apo paisje atëherë kërkoni. Ne duhet që këtë dukuri ta ndalim dhe qytetarët të fillojnë ta ndjejnë vetën të sigurt. Ne nuk do të tolerojmë që kjo gjendje të vazhdojë. Askush nuk mund të mbaj një pozicion të caktuar në polici në rast se nuk ka rezultate. Rezultatet janë ato që na mbajnë të gjithëve. Edhe një herë ju bëjë të qartë hetuesve dhe mbikëqyrësve të të gjitha niveleve se në rast se nuk ka rezultate do të rishikohen pozicionet e tyre”, thuhet mes tjerash në këtë raport që ka siguruar Kosovapress.
Kjo vërejtje në e-mail i është dërguar komandantit rajonal të policisë në Mitrovicë nga radhët e serbëve, Nenad Gjuriç, shefit operativ të policisë poashtu nga radhët e serbëve, Zeljko Bojiç, si dhe zv.komandantit rajonal të policisë në Mitrovicë nga radhët e shqiptarëve, Besim Hoti. /tesheshi.com/