Mëngjesi i kësaj të shtune ka gdhirë ndryshe në Turqi, në vendin që po bëhet gati të lërë pas një tjetër grusht shteti, veçse këtë herë të dështuar.
Pesëdhjetë është numri i ushtarëve të arrestuar në urën Boğaziçi, të cilët janë dorëzuar me duart lart pasi e kishin bllokuar për tërë natën qarkullimin me tanket e tyre.
E hapur është dhe kjo urë tashmë, ashtu siç ngjau më herët dhe me urën tjetër të varur mbi Bosfor.
Përpëlitjet e fundit janë një numër bombardimesh mbi presidencën turke këtë mëngjes, që kanë lënë prapa pesë të vrarë e shumë të plagosur.
336 është numri i të arrestuarve në tërë vendin gjer në këtë orë.
Presidenti turk është shfaqur edhe një herë para kamerave, këtë herë duke iu drejtuar banorëve të Stambollit.
“Nga këtu po i bëj thirrje Pensilvanisë,” ka ngritur zërin Erdogani, duke nënkuptuar me Pensilvaninë banuesin atje, Fethullah Gylenin, “mjaft me tradhtinë që i ke bërë këtij ummeti dhe këtij mileti. Po ta mbajti, hajde në atdhe!” /tesheshi.com/