Ishte seti i pestë i gjysmëfinaleve të US Open, pak vjet më parë. Pas katër orësh epike tenisi, Roxher Federer kishte nevojë edhe për vetëm një pikë më shumë për të mposhtur rivalin e tij të ri, Novak Xhokovic, ndërsa turma priste me padurim. Ndërsa Federer përgatitej të shërbente, në anën tjetër Xhokoviç tundte kokën, sikur po pranonte fatin e tij.
Federer dha një top të shpejtë dhe të thellë në të djathtë. Pak sekonda më pas, ai e gjeti veten të trullosur në gjysëm të fushës. Xhokoviç ia kishte kthyer topin me një trajektore të lirë e me një precizion aq vdekjeprurës saqë Federer as që mund t’i afrohej.
Goditja e Xhokoviç e entuziazmoi turmën. Komentatorët e quajtën një prej sulmeve më të mëdha të të gjitha kohërave.
Xhokoviç e fitoi lojën, setin, ndeshjen dhe turneun. Në konferencën për shtyp, Federer ishte një shembull studimor në furinë e tij të qetë. Ishte e vështirë, tha ai, të humbje për shkak të një “goditjeje fatlume”. Disa lojtarë e bëjnë këtë gjë, vijoi ai: 5 me 2 dhe ata nisin të japin goditje të tilla… si mund të luash me fatin për një pikë që përcakton ndeshjen?”.
Për të njëjtën pyetje, Xhokoviç buzëqeshi: “Po, prirem ta bëj këtë gjë në pikët përcaktuese. Pothuajse funksionon”.
Paaftësia e Federer në kompeticionet e radhës për të fituar turne nuk ishte për shkak të rënies fizike më shumë sesa për shkak të një brishtësie të re mendore që shfaqej në momente vendimtare. Në zhargonin e sportit, ai ishte “duke u mbytur”. Kjo, thonë ekspertët, shkaktohet nga të menduarit e tepërt.
Kur një futbollist humb një penallti apo një lojtar golfi një lëvizje, kjo ndodh për shkak se ata janë bërë të vetdijshëm. Duke menduar shumë fort, ata humbasin hijeshinë fluide natyrale që kërkohet për t’ia dalë mbanë. Ndoshta Federer ishte aq i mërzitur për shkak se thellë-thellë, ai e dinte se kundërshtari ishte frymëzuar nga një burim që ai, prej shumë kohësh më i madhi, po e kishte të vështirë ta arrinte: të mosmenduarit.
Të mosmenduarit është aftësia për të aplikuar vite mësimesh në moment vendimtare duke e hequr mënjanë veten që mendon nga ekuacioni. Fuqia e tij nuk kufizohet vetëm në sport: aktorët dhe muzikantët dinë mjaft gjëra për këtë, gjithashtu, dhe janë të gatshëm të thonë se puna e tyre më e mirë ndodh kur ndodhet në këtë lloj transi. Të menduarit e shumtë mund të vrasë jo vetëm performancën fizike por edhe frymëzimin mendor. Bob Dylan, me shumë finesë duke kujtuar aftësinë e tij rinore për të shkruar këngë pa u përpjekur shumë, e përshkruan realizimin e “Like a Rolling Stone” si një “copë të vjelle, 20 faqe të gjatë”. Kjo nuk e pengoi këngën të votohej si më e mira e të gjitha kohërave.
Në mënyra më pak dramatike, i njëjti parim aplikohet për të gjithë ne. Paradoksi fundamental i psikologjisë njerëzore është se të menduarit mund të jetë i keq për ne. Kur ne ndjekim mendimet tona shumë ngushtësisht, ne mund të humbasim lirshmërinë, pasi dialogjet tona të brendshme mbysin logjikën e thjeshtë. Një studim i sjelljes gjatë blerjeve, gjeti sesa më pak informacion t’iu jepet njerëzve për një markë reçeli, aq më shumë bëjnë ata zgjedhjen më të mirë. Kur u ofrohen detaje për përbërësit, ata bëhen të çoroditur nga opsionet dhe përfundojnë duke zgjedhur një reçel që nuk u pëlqen.
Nëse një mi përballet me gjëegjëzën në të cilën ushqimi është vendosur përpara tij 60 për qind të kohës në të majtë dhe 40 për qind në të djathtë, shpejt ai do të dalë në përfundimin se ana e majtë është më shpërblyese dhe do të drejtohet atje çdo herë, që do të thotë se do të arrijë një nivel suksesi prej 60 për qind. Fëmijët e vegjël përshtasin të njëjtën strategji. Kur studentët e Jelit luajnë lojën, ata përpiqen të gjejnë ndonjë gjurmë që e kanë nënvlerësuar, dhe përfundojnë me rezultate më të dobëta sesa miu apo fëmijët. Ne vërtet që mund të jemi tepër të zgjuar në kurriz të së mirës sonë.
Duke lejuar veten të dëgjojmë instiktet tona më të mira, ne mund të furnizohemi nga burime të një lloj mençurie të kompresuar. Psikologu Gerd Gigerenzer argumenton se shumë nga sjellja jonë bazohet tek “rregulli i gishtit të madh”, i sofistikuar për mashtrim. Një robot i programuar për të ndjekur dhe kapur një top do të kishte nevojë për të kryer një seri ekuacionesh konplekse të diferencuara për të gjurmuar trajektoren e topit. Por, lojtarët e beizbollit e bëjnë këtë duke ndjekur instiktivisht rregulla të thjeshta: vrapo në drejtimin përgjithësisht të djathtë dhe rregullo shpejtësinë për të mbajtur një kënd konstant midis syrit dhe topit.
Për të marrë vendime të mira në një botë komplekse, thotë Gigerenzer, duhet të kesh aftësi në injorimin e informacionit. Ai zbuloi se një përzgjedhje bonosh zgjedhur nga njerëzit që ai intervistoi në rrugë ia doli më mirë në bursë sesa ato të zgjedhura nga ekspertët. Kalimtarët po përdornin “markat”: ata zgjodhën kompanitë për të cilat kishin dëgjuar, që ishte një guidë shumë më e mirë drejt suksesit të ardhshëm sesa të gjitha analizat e nivelit çmim-fitim.
Kërkuesit nga shkolla e biznesit Kolumbia në Nju Jork kryen një eksperiment në të cilin njerëzve iu kërkua të parashikonin rezultatet në një sërë fushash, nga politika deri tek moti dhe fituesi i “American Idol”. Ata zbuluan se ata që vendosën vetëbesim të madh në ndjesitë e tyre bënë parashikime më të mira sesa ata që nuk e bënë këtë. Rezultatet aplikohen sidoqoftë, vetëm kur pjesëmarrësit kishin disa njohuri paraprake.
Kjo pikë e fundit është vitale. Të mosmenduarit nuk është njëjtë me injorancën: nuk mund të qëndrosh pa menduar nëse më parë nuk ke menduar. Xhokoviç ishte në gjendje të ushtronte magjinë e tij për shkak se ai kishte luajtur me mijëra variacione të saj në ndeshjet e mëparshme dhe në stërvitje. Frymëzimet lirike të Dilanit vinin nga përfshirja e tij në këngët folklorike, poezinë franceze dhe legjendat amerikane. Mendjet e pandërgjegjshme të artistëve dhe sportistëve të mëdhenj janë si pyjet e dendura tropikale, që dërgojnë spore frymëzimi.
Sa më të larta pritshmëritë, aq më shumë mbingarkesa në të menduar është problem. Lojtari i kriketit dhe autori i librit “Fat”, Ed Smith, përdor analogjinë e të ecurit në buzë të trotuarit: mjaft e lehtë, por nëse do të kishte një humnerë qindra metrash në rrugë – çdo hap do të ishte një vuajtje.
Në fushat që kërkojnë performancë të lartë, janë performuesit më të vjetër dhe më të suksesshëm ata që priren më shumë të mbyten, për shkak se mbi ta është grumbulluar pritshmëria. Një këngëtar opera që nis të këndojë arien në La Scala nuk mund ta përballojë dot të mendojë sesi mund ta përmirësojë teknikën e vet.
Kur Federer luante për pikët finale në ndeshjet e veta, aim und të ndihej sikur po qëndronte në buzë të shkëmbit që ishte reputacioni i tij.
Profesori Claude Steele, nga Stanford, studioi efektet e ankthit të performancës në testet akademike. Ai ngriti një grup studentësh që përbëhej nga afro-amerikanë dhe kaukazianë dhe i vuri në testim, duke u thënë se do të maste aftësinë e tyre intelektuale. Afro-amerikanët performuan më keq sesa kaukazianët. Steele më pas u dha grupeve të ndara të njëjtin testim, duke u thënë se ishte një paraprovim. Dallimi u ngushtua dukshëm. “Diferenca e arritjeve”, në arsimin amerikan ka shkaqe komplekse, por një mund të jetë pikërisht se studentët e shkëlqyer afro-amerikanë kanë më shumë gjasa të ndihen se po përfaqësojnë grupin e tyre etnik, që i çon ata tek mbingarkesa e të menduarit.
Po si mëson të mos mendosh? Dilan besonte se impulse krijues ka nevojë për t’u mbrojtur nga vetë-analizimi: “Ndërkohë që moshohesh, bëhesh më i zgjuar, dhe kjo mund të të minojë… Duhet të programosh trurin të mos mendosh shumë”.
Flann O’Brien thotë se ne duhet të jemi “budallenj me llogari” në mënyrë që të shkruajmë. Kura e vetme e besueshme për tepricën e të menduarit duket të jetë argëtimi, diçka që e trullos si suksesi ashtu edhe analizimi.
Atletët me eksperiencë apo artistët shpesh ankohen se kanë humbur “frymëzimin” apo kontaktin me atë që i bën ata ta duan atë që bëjnë në radhë të parë. Të menduarit për të është një zëvendësues i keq.
Ne jetojmë në epokën e vetë-reflektimit, duke analizuar çdo aspekt të punës sonë, duke komentuar me lupë mbi vetë jetët tona online, duke lexuar artikuj që na kërkojnë të kuptojmë se çfarë na bën të lumtur. Pjesa më e madhe e këtyre edhe mund t’ia vlejnë, por ne kemi nevojë gjithashtu për të menduar me karar.
Rikthimi në krijim është kulminim i përpjekjeve të jetës por edhe shprehje e një gëzimi të shkujdesur. Dhe funksionon.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/