Nga Ylli Pata
Tërheqja e Edi Ramës për të shkarkuar kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, erdhi jo vetëm si vullnet i mazhorancës për tolerancë ndaj opozitës, por edhe presionit të konsiderueshëm të ambasadës së SHBA-së, por veçanërisht asaj të BE-së dhe OSBE-së.
Ndërkombëtarët, menjëherë sapo mazhoranca e ka nisur këtë lojë politike me opozitën, i kanë kërkuar që të mos e bëjë këtë me një institucion delikat siç është KQZ-ja, por në radhë të parë edhe me një zyrtar jo konfliktual, siç është Klement Zguri. Një fenomen i rrallë në administratën shqiptare.
Ndërkombëtarët i kanë drejtuar Ramës rekordin pozitiv të zgjedhjeve të 25 qershorit, që është në radhë të parë një aset politik i qeverisë, por edhe kanë shprehur habinë sesi nuk mund të sakrifikohet një zyrtar i nivelit të Klement Zgurit.
Duhet thënë me modesti, se një kontribut në këtë lëvizje ka pasur edhe tesheshi.com, (http://localhost/tesheshi/profil-klement-zguri-ish-kryebashkiaku-ortodoks-shijakut-musliman-qe-menaxhoi-zgjedhjet-te-qeta-ne-historine-shqiptare-ben-te-shkarkohet), i cili më 15 nëntor publikoi një profil të Klement Zgurit, që ka qenë si referencë nga ndërkombëtarët për të renditur argumentet e tyre.
Ndërkaq, Klement Zguri nuk u mbrojt fare, as nga Partia Demokratike e as nga mediat e opozitës. Basha, siç duket nga kompleksi për të mos e quajtur një betejë mbrojtjen e Klement Zgurit, priste që mazhoranca të shkarkonte kreun e KQZ-së për ta përdorur si “atu” politike.
Ishte një precedent mjaft i rëndë ky i braktisjes së Zgurit nga ata që e propozuan; një veprim dritëshkurtër, sepse kreu i KQZ-së është jo vetëm filli që i lidh më kollaj me ndërkombëtarët, por është një model pozitiv i përfaqësimit të opozitës në institucione.
Edhe dje, Edi Rama i kërkoi opozitës që të tregojë të paktën një model përfaqësimi në drejtimin e shtetit.
Klement Zguri është padyshim një nga modelet që pasqyron disa vlera të rëndësishme si mungesa e konfliktit, sensi i institucionit dhe përpjekja për një konsensus. Kompleksi me marrëveshjen e 18 majit, ka gjasa që ta kenë drojtur Bashën dhe opozitën që të bënin betejë për Klement Zgurin.
Dhe në një farë mënyre ka pasur arsye. Astrit Patozi nuk vonoi të përdorë sarkazmën. E quan “fitoren e parë të Bashës”.
Ja ç’shkruan Patozi:
“Sot mund të thuhet se Lulzim Basha arriti më në fund fitoren e parë politike, që kur u caktua kryetar i Partisë Demokratike, në vitin 2013, pasi e detyroi ose e bindi Edi Ramën të heqë dorë nga shkarkimi i kryetarit të KQZ-së, Klement Zguri.
Debati mes tyre u zhvillua në sfondin e përmbytjeve, që kanë shkaktuar rreshjet e dendura në shumë zona të vendit, por kjo nuk e pengoi kryeministrin që t’i kujtonte kundërshtarit të vet se marrëveshja e 18 majit mbetet ende në fuqi.
Edi Rama tha në tërheqje e sipër se, nëse marrëveshja do të konsiderohej e vdekur, Klement Zguri do të kishte qenë dëshmori i parë i saj.
Kryetari aktual i KQZ, i vetmi i pafajshëm në këtë shantazho-pazar të neveritshëm politik, me shumë gjasa do ta ruajë pozicionin e tij në krye të institucionit që administron zgjedhjet në Shqipëri.
Por ky duket të jetë një ngushëllim fare i vogël, pasi Partia Demokratike për shkak të marrëveshjes së Lulzim Bashës doli e shkatërruar nga beteja e 25 qershorit”.
Në fakt, Klement Zguri arriti të fitojë jo sepse u tërhoq Edi Rama që të kompleksojë Lulzim Bashën, por sepse i është kërkuar në mënyrë precize nga ndërkombëtarët; dhe jo thjesht për ta mbrojtur Zgurin si një përfaqësues i opozitës, por si një zyrtar tipik jo i politizuar dhe jo konfliktual.
Në aksionin e nisur për spastrimin e drejtësisë dhe politikës nëpërmjet vettingut dhe reformës në drejtësi, kryetari aktual i KQZ-së është modeli tipik i një administrate të lartë që po kërkon SHBA dhe BE.
Së shpejti ata do t’i kërkojnë PS-së, PD-së dhe LSI-së që të hartojnë një reformë zgjedhore me synin shkuarjen drejt depolitizimit të administratës së zgjedhjeve.
Që nga KQZ-ja dhe poshtë, nuk do të jetë Edi Rama dhe Lulzim Basha që do t’i japë urdhëra komisionerëve, por Klement Zguri…./tesheshi.com/