Nga Blendi Gashi
Janë bërë afro dhjetë muaj, që kur Prokuroria Themelore në Prishtinë-departamenti i Krimeve të Rënda, më datë 16 dhjetor ngriti aktakuzë kundër katër deputetëve të opozitës, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Faton Topalli, nën akuzën për veprat penale: përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, pra për gjuajtje të gazit lotsjellës në kuvend.
Edhe pas kësaj kohe, Gjykata Themelore e Prishtinës ende nuk ka dhënë verdiktin final për opozitarët.
Seanca ndaj deputetëve që hodhën gaz në kuvend u parapa të mbahet këtë muaj, por një gjë e tillë nuk ndodhi.
Gjykata doli me një arsyetim për shtyrjen e seancës ndaj opozitarëve, duke thënë se rasti nuk është me prioritet të lartë, pasi nuk ka masë të paraburgimit për asnjërin deputet.
“Seancat gjyqësore për deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të caktohen në periudhën kohore tetor – nëntor 2016”, ka thënë në një përgjigje me shkrim, Mirlinda Gashi – zëdhënëse e Gjykatës Themelore të Prishtinës, për mediat kosovare.
“Rasti po mbahet pezull që të përdoret nga pushteti për ngjarje të mëdh”
Arsyetimi i dhënë nga gjyata nuk duket bindës aspak për deputetët e akuzuar, të cilët mendojnë se prapa shtyerjes së seancave qëndron diç tjetër.
Deputetja e Vetëvendosje-s, Albulena Haxhiu, thotë se rasti mbahet me qëllim i pezulluar në mënyrë që të përdoret nga pushteti para ngjarjeve të mëdha.
“Kjo dëshmon edhe një herë se këta (pushteti) ka tendencë për ta penguar opozitën që me veprimet e tyre politike, ndonjë deputet ta çoj në arrest shtëpiak, ndonjë në paraburgim apo në masa të tjera të sigurisë”, tha Haxhiu.
Por, si e shohin përfaqësues të organizatave që monitorojnë punën e gjykatave dhe avokatët, zhagitjen e rastit të opozitarëve?
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se Kodi i duke marr për interesin e publikut lidhur me rastin në fjalë, respektimi dhe zbatimi i afateve të përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale është qenësor për të dërguar mesazh publikut se ky rast është duke u trajtuar në mënyrë të pavarur dhe paanshme.
“Vonesat e paarsyeshme lidhur me trajtimin e këtij rasti dhe mos përmbushja e obligimeve sipas ligjit, dëmtojnë imazhin dhe inegritetin e sistemit gjyqësor, dhe mund të dëmtojnë besimin e publikut”, thotë Miftaraj, për tesheshi.com.
Avokati Arianit Koçi, duke mos dashur të paragjykojë për mos mbajtjen e seancave për rastin ndaj deputetëve të opozitës, mendon se shtyrja mund të ketë ndodhur për shkak të mungesës së gjykatësve.
“Fakt është se ka shumë pak gjykatës dhe shumë lëndë. Gjykatat më të ngarkuara në regjion janë gjykatat kosovare. Në të njëjtën kohë, shumë gjykatës po i lën vendet e punës, për arsye të ndryshme.
Gjyqësia kosovare ka probleme serioze, dhe është koha e fundit që të rritet numri i prokurorëve dhe gjyqtarëve, sa nuk është bllokuar në tërësi sistemi gjyqësor”, tha Koçi për tesheshi.com.
E tashmë, mbetet të shihet nëse seancat ndaj opozitarëve për rastin e hedhjes së gazit lotësjellës do të mbahen muajin e ardhshëm apo do të shtyhen sërish. /tesheshi.com/