Nga Nishaat Ismail
“Ujk i vetmuar” apo “i paqëndrueshëm mendërisht” janë terma të përdorur shpesh për t’i përshkruar njerëz të bardhë që kryejnë vrasje apo akte brutale terrori. Ju e shihni, ka diçka rreth këtyre njerëzve që i mbron ata nga referimi me atë term dashakeq të përdorur aq lirisht nga media, si edhe nga politikanët, në këtë kohë të “histerisë islamiste”: me termin “terrorist”.
I burgosuri Anders Behring Breivik, terroristi norvegjez i ekstremit të djathtë, i cili vrau 77 njerëz në vitin 2011, kur goditi me bombë në qendër të Oslos përpara se të vijonte me breshëri të shtënash në kampin e rinisë laburiste në ishullin Utoja, u kthye në gjykatë për të argumentuar se izolimi i tij në burg i shkel të drejtat.
Ai mund të jetë ende në burg, por nga shumë organe mediatike i shpëtoi emërtimit “terrorist i së djathtës ekstreme”, për t’u cituar si “vrasës” ose “vrasës në masë”.
Pse ngjet kështu, kur Breivik është në çdo kuptim terroristi arketipik, një vrasës gjakftohtë që kreu akte të dhunshme dhe mizore për një kauzë politike ekstreme? Përshëndetja naziste që bëri në gjykatë e tregon këtë në mënyrë të përsosur.
Përgjigjja dhe arsyeja është thjesht për shkak të faktit se një terrorist i bardhë merr vëmendje të privilegjuar në media. Në dallim nga kjo, nofka “terrorist” është e rezervuar ekskluzivisht për ata që nuk vijnë nga brenda, për ata që janë parë si “të tjerët” e rrezikshëm të shoqërisë. Në ditët tona, ai “tjetër” është thuajse gjithmonë një musliman.
Njerëz në pushtet dhe në pozita me ndikim nxitojnë t’i quajnë terroristë, dhe me të drejtë, ata si Xhon xhihadisti dhe Sejfeddin Rezgui, 23-vjeçari i cili vrau 38 njerëz në një plazh në Tunizi. Por kur i njëjti epitet kursehet për njerëz si Breivik, ne kemi një problem serioz.
Një shpjegim për këtë portretizim të zhbalancuar është se terroristë nuk mendohet të jenë ata nga “brenda”. Jo, terroristë janë ata të cilët “e urrejnë demokracinë tonë, lirinë tonë, lirinë tonë të shprehjes, mënyrën tonë të jetesës” – një citat nga kryeministri britanik David Cameron pas sulmeve mbi revistën satirike Charlie Hebdo vitin e shkuar në Paris, e një frazë që e dëgjojmë dendur nga udhëheqës të tjerë.
Terroristët vijnë nga vende të largëta, në pritje për të depërtuar në territorin e huaj me ideologjitë e tyre “barbare”. Njohja e atyre si Breiviku si ekstremistë e zvogëlon modelin e terroristit ideal, të ndërtuar për vite nga media e djathtë dhe politikanë të ngjashëm. Nëse një perëndimor i bardhë normal mund të jetë “terrorist”, struktura shkërmoqet.
Ekstremistëve muslimanë rrallë u bëhet një gjyq i hapur, ku motivet e tyre të shqyrtohen hollësisht, ashtu siç ka ngjarë me Breivikun. Deduksioni ngjan të jetë se me hetimin dhe marrjen në pyetje në mënyrë rigoroze ne mund t’i kuptojmë veprimet e tij. Por kur akademikë, aktivistë dhe komentues politikë përpiqen t’i kuptojnë dhe t’i shpjegojnë faktorët që i kanë bërë ca muslimanë të kryejnë akte të tmerrshme terrori, pikërisht ata individë janë denigruar dhe janë etiketuar si “simpatizues të terroristëve”.
Eshtë e dukshme se perceptimi dhe kuptimi ynë i asaj çka përbën “terrorizëm” është i shtrembëruar. Ne nuk lejohemi të përcaktojmë se kush terrorizon, por, ndryshe, pritet që të pajtohemi me përshkrimin e dhënë për ne nga pushtetarët.
Anders Breivik është një “vrasës në masë” i izoluar, që veproi i vetëm. Askush nuk do t’i bëjë presion komunitetit të tij të dënojë njerëz brenda mesit të vet, të shqyrtojë fenë a ideologjitë e tyre, apo ta reformojë mënyrën e tyre të jetesës. Duke patur parasysh rritjen sot të grupeve të së djathtës ekstreme në Europë, kjo është në mënyrë të veçantë dëmtuese.
Breivikët e botës janë veçuar në mënyrë të vetëdijshme nga emërtime të tilla si “terroristë”për ta mbajtur gjallë besimin se vetëm ata që kanë një varg të caktuar besimesh cilësohen gjithmonë. Por nëse nuk e dënojmë terrorizmin në të gjitha format e tij, ne nuk mund të mësojmë kurrë nga mizori si ato që bëri ai në Utoja pesë vite të shkuara.
Marrë nga The Independent
Përktheu: Bujar M. Hoxha – /tesheshi.com/