Një rritje e lartë rekord e çmimeve të gazit natyror në Evropë po ngre shqetësimin se konsumatorët do të goditen rëndë nga faturat e larta të energjisë këtë dimër, ndërsa rritet kërkesa globale për karburant, sipas Euronews.
Ndërsa kriza është globale, Evropa është goditur nga disa faktorë rëndues që mund ta bëjnë krizën më akute.
Pse po rriten çmimet e gazit natyror?
Çmimet e gazit natyror janë rritur në Evropë, me kërkesën që po rritet globalisht.
Ndërsa kjo po ndodh me shumicën e mallrave, problemi ka qenë më i madh në lidhje me gazin natyror.
Kjo është për shkak të një rimëkëmbjeje ekonomike globale, ndërsa vendet po heqin kufizimet e COVID-19 dhe po rihapin plotësisht ekonomitë e tyre.
Ekziston, gjithashtu, konkurrenca për gazin natyror, pas dimrave të gjatë në Evropë dhe Azinë Lindore, me blerësit që tani po i nxisin çmimet të shkojnë lart.
“Po e gjejmë veten në një zonë, ku kërkesa është rritur dhe, në anën tjetër, ku oferta është më e kufizuar”, tha Thierry Bros, një ekspert energjie dhe profesor në “Sciences Po”, Paris.
Çfarë po ndodh në Evropë?
“Evropa po sheh një stuhi të përsosur në tregun e saj të gazit natyror”, shpjegon Simone Tagliapietra, një bashkëpunëtore e lartë në qendrën e studimit ekonomik Bruegel, me bazë në Bruksel, për shkak të një kombinimi të faktorëve, si nga ana e ofertës, ashtu edhe nga ajo e kërkesës.
Kërkesa është rritur për disa arsye, thonë ekspertët, përfshirë faktin se Evropa kishte një dimër më të ftohtë, kështu që njerëzit janë detyruar të ngrohin shtëpitë e tyre për më gjatë se zakonisht.
Gjithashtu, me heqjen graduale të qymyrit dhe një vit të keq për prodhimin e erës, kjo ka rritur nevojën për gaz natyror.
Ekzistojnë, gjithashtu, disa çështje nga ana e furnizimit: duke përfshirë më pak mirëmbajtje të fushave të naftës dhe gazit gjatë krizës COVID-19 dhe më pak investime.
Plus, Evropa po zvogëlon prodhimin e saj të brendshëm të gazit natyror.
Prodhuesi kryesor vendas i Evropës për gazin natyror, Holanda, filloi të heqë dorë nga fusha e saj kryesore e gazit Groningen në 2018.
Përqindja e gazit në punë në depo është tani në 74 për qind në Evropë, e krahasuar me këtë kohë vitin e kaluar, kur ishte në 94 për qind, sipas të dhënave nga Gas Infrastructure Europe.
“Shqetësimi i madh në treg është se niveli i ruajtjes së gazit në Evropë është më i ulët se zakonisht, në këtë pikë të vitit. Ne nuk jemi të përgatitur mirë për të vazhduar në stinën e dimrit, që është sistemi i ngrohjes. Pra, ky është shqetësimi që po rrit çmimet”, tha Tagliapietra.
Cili është roli i Rusisë në krizën aktuale?
Ka pasur shqetësime se Rusia mund të jetë duke përdorur krizën për të lobuar që tubacioni i sapopërfunduar, Nord Stream 2, të hyjë në linjë, duke mos dërguar më shumë gaz natyror për Evropën.
Rusia ka qenë eksportuesi më i madh i gazit natyror në Bashkimin Evropian në 2019 dhe 2020, duke përfaqësuar më shumë se 40 për qind të importeve të BE-së.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) tha se eksportet ruse në BE ishin në rënie nga nivelet e tyre të vitit 2019 dhe se “Rusia mund të bëjë më shumë për të rritur disponueshmërinë e gazit në Evropë dhe për të siguruar që depozitat të mbushen në nivele të përshtatshme, sa i përket përgatitjes për sezonin e ardhshëm të ngrohjes dimërore”.
Dyzet anëtarë të Parlamentit Evropian, kohët e fundit, i bënë thirrje Komisionit të nisë një hetim nëse Gazprom po e ndalonte gazin natyror për të nxitur miratimin e gazsjellësit Nord Stream 2.
Një zëdhënës i Kremlinit tha në mes të shtatorit se vënia në punë e gazsjellësit të ri do të “ekuilibronte” çmimin e gazit natyror në Evropë, duke shtuar më tej dyshimet se Rusia mund të ndalojë gazin me qëllim.
Por disa ekspertë thonë se Gazprom nuk është në shkelje të kontratës dhe, gjithashtu, pritet të respektojë pjesën prej 40 për qind të tregut në Evropë për ta mbajtur sistemin konkurrues.
A lidhet kjo me tranzicionin e gjelbër?
Ndërsa një vit i varfër për prodhimin e erës dhe po ashtu edhe më pak investime në lëndët djegëse fosile kanë kontribuar në krizë, shumë argumentojnë se shtimi i më shumë burimeve të rinovueshme në përzierjen e energjisë duhet të jetë pjesë e mungesës.
“Problemi është se ne nuk do ta kishim këtë situatë, nëse në këtë çast në kohë do të kishim më shumë energji të rinovueshme në sistem”, tha Tagliapietra.
“Përgjigjja afatgjatë ndaj situatës aktuale në Evropë duhet të jetë përshpejtimi i vendosjes së burimeve të energjisë së rinovueshme, por edhe zgjidhjeve të efikasitetit të energjisë, të cilat janë shumë të rëndësishme për të mos zvogëluar kërkesën për ngrohje në banesa ose në shtëpitë tona”, shtoi ai.
Por shumë kanë thënë se kërkesa do të duhet të përshtatet gjatë kësaj periudhe tranzicioni edhe në më shumë burime të rinovueshme.
“Nëse duam të vendosim më shumë ndërprerje në sistem, që është energjia e ripërtëritshme e erës dhe ajo diellore, atëherë duhet të kemi më shumë mekanizëm kapaciteti me termocentrale me gaz ose një kapacitet magazinimi i cili na mungon në bazë teknologjike. Përndryshe, ne do të dalin me ndërprerje energjie në Evropë”, tha Bros nga Sciences Po.
Si mund të ndikojë tek konsumatorët?
Konsumatorët që nuk kanë një kontratë me çmim fiks për ngrohjen dhe energjinë elektrike ka të ngjarë të shohin rritje në faturat e tyre të energjisë.
Gazi natyror jo vetëm që përfaqëson një të pestën e energjisë elektrike të Evropës, por përdoret gjithashtu për ngrohje dhe gatim.
Në vitin 2018, ai përbënte rreth 45 për qind e energjisë së përdorur për ngrohjen e shtëpive në BE.
“Në Gjermani dhe Spanjë, çmimet në shtator ishin tre ose katër herë mesataret e shikuara në 2019 dhe 2020”, tha IEA.
Shumë vende po përpiqen të ndihmojnë konsumatorët mes rritjes së çmimeve, me Francën që zbuloi një sërë masash, përfshirë një “kontroll energjie” për të ndihmuar njerëzit të paguajnë faturat e tyre në rritje.
Spanja njoftoi se do të ulë taksën e energjisë, për të ulur kostot për njerëzit, kurse Italia gjithashtu po ul taksat.
Megjithatë shumë organizata janë të shqetësuara se më shumë njerëz mund të zgjedhin mes pagesës për ngrohje dhe ushqyerjes së familjeve të tyre këtë dimër.
Një sondazh i mbarë BE-së në vitin 2019 zbuloi se 6,9 për qind e njerëzve në vendet anëtare të BE-së nuk ishin në gjendje t’i mbanin shtëpitë e tyre në mënyrë të përshtatshme. /ATSH/