Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, ka deklaruar se SHBA-të kanë për të vepruar nëse provat e fundit të raketave balistike me rreze të gjatë janë kryer në kundërshtim me marrëveshjen ndërkombëtare për programin bërthamor të Iranit.
“Dua ta përsëris, pasi e di se njerëzit ende dyshojnë, se nëse ata e shkelin marrëveshjen, ne do të veprojmë,” ka thënë Biden gjatë vizitës së tij në Izrael dhe në territoret palestineze.
Uashingtoni ka paralajmëruar se mund ta ngrejë çështjen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së pas provave të 8 marsit.
Vetë zëvendëspresidenti amerikan foli pas takimit me kryeministrin izraelit, njëri prej kundërshtuesve më të ashpër të marrëveshjes ndërkombëtare me Iranin. Eshtë pikërisht kjo marrëveshje një prej arsyeve të marrëdhënieve të ftohta të Netanyahu-t me presidentin amerikan.
Provat e raketave balistike janë parë si një demonstrim nga Irani se marrëveshja bërthamore nuk do të ketë ndikim mbi planet e tij.
Autoritete të larta iraniane thanë të martën se mund të hiqej dorë nga marrëveshja ndërkombëtare nëse ajo binte në kundërshtim me interesat kombëtare të vendit. Abbas Arakshi, zëvendësministri i Jashtëm iranian, do të deklaronte: “Nëse interesat tona nuk përmbushen nën marrëveshjen bërthamore, atëherë nuk do të ketë arsye që ne të vazhdojmë.”
Teherani i ka mohuar akuzat amerikane se po vepron në mënyrë provokative, duke i arsyetuar provat raketore me të drejtën për vetëmbrojtje. /tesheshi.com/