Nga: Bujar M. Hoxha
Titujt e botimeve janë sot të shumtë për të dhënët pas leximit, por të paktë janë ato që spikasin shpejt mes tyre. Një i tillë, pak ndryshe, pikaset lehtë dhe tërheq vëmendjen pikërisht për titullin. “Protokolli dhe ceremoniali i Bashkisë së Tiranës” sapo e ka parë dritën e botimit, si një udhëzues praktik për aktivitetin ceremonial dhe protokollar të Bashkisë së Tiranës, por që mund të vlejë dhe për institucione të tjera. Sa për lexuesin e thjeshtë, ky botim i vjen në ndihmë për të kuptuar se si funksionon nga pikëpamja protokollare dhe ceremoniale institucioni qeverisës i kryeqytetit të vendit, se si asgjë nuk është e rastësishme, qëndrimi, lëvizja, fjala, simbolika, se si gjithçka në një aktivitet është menduar me hollësi më herët, për të mos i lënë vend asnjë surprize të pakëndshme.
I kanë hak lavdërimet njëherësh për këtë punim skrupuloz autori i tij, Valter Gjoni, dhe botuesi, Fondacioni “ALSAR”, i kudogjendshëm vitet e fundit me angazhimet e veta, gjithnjë e më të shumta, gjithnjë e më të dendura. Autori duhet të ndihet i vlerësuar që e ka mbështetje këtë ent me ambicie, i cili i ka mundësuar më herët dhe botimin e dy librave të tjerë.
Një përvojë e gjatë jetësore artistike, gazetareske dhe administrative e ka ndihmuar autorin të vijë me botime të tilla, siç ka bërë dhe më parë. Nëse ndjekësit e kinematografisë shqiptare të para viteve ’90 të shekullit të shkuar e kujtojnë për një sërë rolesh të luajtura, Valter Gjoni ka patur një jetë për dhjetëvjeçarë dhe si funksionar i Bashkisë së Tiranës, shfrytëzuar për të shkruar e botuar një varg punimesh, kryesisht të karakterit historik dhe kulturor në lidhje me kryeqytetin.
Në faqet e para të librit lexon një shprehje të gjendur gjetkë, “Nuk ka qytetërim pa ceremoni”, me gjasë frymëzuese për autorin, pasi ai vetë pohon se i mbështetur në të nisi të hulumtojë mbi elemente të protokollit dhe ceremonive. Kërkues në punën e tij, Valter Gjoni na flet fillimisht për kanunet dhe statutet zakonore shqiptare, për ndikimet në konceptet ceremoniale në vendin tonë, shoqëruar dhe me ilustrime, të pranishme gjatë gjithë librit, na flet për heraldikën e qytetit të Tiranës, na tregon për përshëndetjen ceremoniale, për mënyrën popullore të të nderuarit të njohur si “Nderimi shqiptar”.
Pa dyshim që gjer te rregullorja që paraqet autori ka patur një rrugë të gjatë për t’u bërë pas viteve 1990, shpjeguar shkurt nga ai. Praktikat protokollare dhe ceremoniale janë përcaktuar mbi bazën e rregullores zyrtare të protokollit të shtetit ndërkohë që autoriteti lokal po decentralizohej. Shtimi i mjediseve dhe i mundësive të veprimtarive ceremoniale në bashki, konceptimi i një numri simbolesh, ndarja e protokollit dhe ceremonialit, fomimi i policisë bashkiake dhe si element i ceremonialit, konceptimi i veprimtarive të reja me karakter ceremonial, rikrijimi i orkestrës frymore të qytetit, rikrijimi i drejtorisë së dekorit dhe konceptimi i titujve të nderit, kanë qenë të tërë në funksion të dhënies formë protokollit dhe ceremonialit të Bashkisë së Tiranës. Shërbimi i Protokollit dhe Ceremonialit Vendor në këtë bashki është përgjegjës për organizimin e një sërë veprimtarive të këtij karakteri.
Në libër mund të lexosh mbi simbolet e Bashkisë së Tiranës, mbi flamurin dallues, mbi shiritin dallues të kryetarit të institucionit, mbi përdorimin e stemës së bashkisë, mbi mënyrën e betimit të të parit të bashkisë, mbi llojet e vizitave në bashki, mbi skemën e pritjes dhe përcjelljes së kryetarëve të shteteve, të kryeministrave, të personaliteteve të një niveli me ta, mbi mënyrat e vendosjes ceremoniale, me skema të hollësishme të uljes së pjesëmarrësve në pritje.
Mësojmë mes rreshtave madje dhe për përmasat e flamurit të tavolinës në pritjet zyrtare, për vendosjen e delegacioneve në bisedimet zyrtare, për ceremonitë e nënshkrimit mes palëve, për shkëmbimin e dhuratave, për “Çelësin e qytetit”, si simbol për vlerësimin e personaliteteve.
E folura në publik është shtjelluar me të gjithë elementet, si paraqitja, lëvizja, qëndrimi, fytyra, kontakti me sy dhe zëri. Janë trajtuar po ashtu format e kartvizitave dhe ftesave.
Veshja zyrtare parashikon kostumin një ose dyngjyrësh për meshkujt, dhe kostumin me fund apo pantallona për femrat, mes të tjerash. Aq e rëndësishme është veshja, sa mosrespektimi i kodit të saj mund të krijojë pakënaqësi te pala tjetër. Kryetarin aktual të Bashkisë së Tiranës e kemi parë rëndom me veshje jozyrtare, me këmishë mëngëpërveshur, në funksion dhe të mesazhit që ai kërkon të përcjellë, por kjo ka qenë herë-herë shqetësim për respektuesit e protokollit. Një përfaqësi diplomatike në Tiranë, për shembull, e ka kërkuar në mënyrë të përsëritur respektimin prej tij të kodit të veshjes zyrtare në takimet me të, e megjithatë kjo kërkesë jo gjithmonë është respektuar.
Nëse “Qytetar nderi” është titulli më i njohur i dhënë nga bashkia, ka dhe të tjerë tituj, si “Simboli i qytetit”, apo “Mirënjohja e qytetit”, pjesë e ceremonialit. Zhvillimi i ceremonive përkujtimore, i ceremonive të tjera, martesore, mortore, të përurimit, të zive, të festave, gjen vend në libër, shpjeguar zë për zë.
Ky punim u shtohet botimeve të tjera që kanë patur në fokus Bashkinë e Tiranës, duke i bërë një shtjellim funksionimit protokollar dhe ceremonial të institucionit. Botimi duhet t’u shërbejë institucioneve të ngjashme, si një udhëzues i gatshëm për funksionimin e tyre protokollar.
Falënderime dhe një herë për autorin, Valter Gjoni, dhe për botuesin, Fondacionin “ALSAR”, për këtë botim me vlerë! /tesheshi.com/
Marrë nga gazeta “Dita”